BE ndërpret financimin për Bienalen e Venecias pas rikthimit të Rusisë
Bashkimi Evropian ka vendosur të ndërpresë financimin për Bienalen e Venecias, pasi Rusia është përfshirë në edicionin e këtij viti të aktivitetit kulturor. Vendimi u konfirmua sot nga një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Sipas tij, pas një vlerësimi ligjor dhe rekomandimit të Komisionit Evropian, Agjencia Ekzekutive Evropiane për Arsimin dhe Kulturën (EACEA) vendosi të anulojë grantin prej 2 milionë eurosh që i ishte akorduar fondacionit “La Biennale di Venezia”.
Komisioni Evropian theksoi se projektet kulturore të financuara me fondet e taksapaguesve evropianë duhet të promovojnë vlerat demokratike, dialogun e hapur, diversitetin dhe lirinë e shprehjes.
Sipas zëdhënësit, këto janë parime që “nuk respektohen në Rusinë e sotme”, duke justifikuar kështu vendimin për ndërprerjen e financimit.
Rusia merr pjesë në Bienalen e Venecias për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, një rikthim që ka shkaktuar reagime në institucionet evropiane.
Granti i Bashkimit Evropian ishte parashikuar për mbështetjen e producentëve të filmit dhe projekteve që lidhen me teknologjitë immersive (zhytëse), por financimi nuk do të vijojë pas vendimit të EACEA-së.







