Lufta SHBA-Iran godet rëndë jugun e Iranit, banorët: Jemi pa energji, pa punë dhe nën bombardime
July 21, 2026
Rikthimi i përplasjeve ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po rëndon ndjeshëm jetën e banorëve në jug të Iranit, të cilët përballen me ndërprerje të energjisë elektrike, mungesë karburanti, dëmtim të infrastrukturës dhe humbje të burimeve të jetesës.
Në provincat bregdetare Khuzestan, Bushehr dhe Hormozgan, përgjatë Gjirit Persik dhe Detit të Omanit, shumë banorë thonë se lufta ka prekur drejtpërdrejt komunitetet që tradicionalisht jetojnë nga deti.
“Shumë varka janë fundosur, janë goditur nga raketat. Shumë të tjera janë djegur. Harrojini paratë, mendoni sa jetë njerëzish janë humbur”, shprehet një banor i jugut të Iranit në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Sipas autoriteteve iraniane, bombardimet amerikane kanë shkaktuar rreth 50 viktima, përfshirë civilë, që nga fundi i muajit qershor, kur SHBA nisi sulmet në jug të vendit. Gjatë nëntë ditëve të fundit, bombardimet janë zhvilluar çdo ditë.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se objektivi i operacioneve është dobësimi i kapaciteteve detare dhe ushtarake të Iranit në zonën e Ngushticës së Hormuzit, korridor strategjik për transportin global të energjisë, të cilin Teherani e ka bllokuar si kundërpërgjigje ndaj konfliktit.
Megjithatë, banorët thonë se pasojat po i vuajnë kryesisht civilët.
Sulmet ndaj termocentraleve dhe nënstacioneve elektrike kanë lënë pa energji elektrike mijëra familje në një periudhë kur temperaturat në jug të Iranit kalojnë shpesh 40 gradë Celsius.
Në qytetin portual Bandar Abas, një banor tregoi se familja e tij është detyruar të kalojë orë të tëra brenda makinës për shkak të mungesës së energjisë.
“Nuk kemi rrymë. Natën dëgjojmë vetëm shpërthime. Çfarë kemi bërë që ta meritojmë këtë? Në 41 gradë, pa energji elektrike, nuk mund të qëndrojmë në shtëpi”, tha ai.
Edhe në provincën naftëmbajtëse të Khuzestanit banorët raportojnë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë.
“Po e ndërpresin rrymën në këtë vapë. Është e padurueshme”, tha një banor, duke iu referuar qyteteve Abadan dhe Khorramshahr.
Dëmtimi i rrugëve dhe urave ka vështirësuar lëvizjen drejt qyteteve bregdetare, ndërsa në rrjetet sociale qytetarët u bëjnë thirrje njerëzve të shmangin udhëtimet.
Ndërkohë, radhët e gjata për karburant dhe ndërprerjet e komunikimeve kanë bërë që shumë familje të mos kenë informacion për të afërmit e tyre në zonat e bombarduara.
Konflikti ka goditur edhe ekonominë lokale. Mijëra mjete lundruese kanë mbetur të bllokuara në Gjirin Persik, ndërsa turizmi në zonat bregdetare është paralizuar.
Edhe pse monumentet historike në Khuzestan dhe ishullin Keshm nuk janë dëmtuar drejtpërdrejt, zonat turistike janë kthyer në zona sigurie, duke boshatisur bujtinat dhe duke lënë pa punë guidat turistike në prag të sezonit.
Në Keshm dhe Sirik, shumë varka peshkimi janë shkatërruar, duke i privuar peshkatarët jo vetëm nga burimi i të ardhurave, por edhe nga një pjesë e trashëgimisë detare të rajonit.
Ndërkohë, të dyja palët vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar muajin e kaluar, i cili parashikonte ndërprerjen e luftimeve dhe hapjen e një periudhe 60-ditore negociatash për zgjidhjen e konfliktit që shpërtheu më 28 shkurt.
Situata ka nxitur reagimin e qytetarëve. Javën e kaluar, dhjetëra mijëra iranianë firmosën një peticion online, duke u kërkuar drejtuesve të vendit të vizitojnë zonat jugore dhe të shohin nga afër pasojat e luftës.
“Një veprim i tillë mund të sjellë më shumë ndjeshmëri, mbështetje më efektive dhe vendimmarrje më reale në nivel kombëtar”, thuhet në peticion.
Pavarësisht shkatërrimit, banorët tregojnë se solidariteti i qytetarëve nga pjesë të tjera të Iranit, të cilët kanë strehuar familjet e zhvendosura, ka qenë një nga burimet kryesore të shpresës.
“Gjëja e parë që kontrollojmë është nëse jemi ende gjallë, nëse fqinji ynë është gjallë dhe nëse kemi ende pranë miq e familjarë”, tha një banore nga jugu i Iranit.