Shqipëria drejt lekut digjital, projektligji i ri i jep Bankës së Shqipërisë të drejtën për emetimin e tij

20 Jul 2026 16:39
Shpërndaje:

Shqipëria po hedh hapat e parë drejt krijimit të lekut digjital, një zhvillim që lidhet me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe modernizimin e sistemit të pagesave në vend.

Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë parashikon bazën ligjore për emetimin e monedhës digjitale kombëtare, duke përafruar legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Në draft përcaktohet se “Banka e Shqipërisë ka të drejtën ekskluzive për të emetuar kartëmonedha, monedha metalike dhe monedha digjitale ‘Lek’”.

Reklamë Ola

Ky ndryshim synon të krijojë kuadrin e nevojshëm ligjor për përshtatjen e Shqipërisë me zhvillimet më të fundit monetare në Evropë. Megjithatë, projektligji saktëson se dispozitat që lidhen me fazën e integrimit do të zbatohen vetëm pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe pas adoptimit të euros.

Për qytetarët, leku digjital nuk do të funksionojë si një kriptomonedhë, siç është Bitcoin. Ai nuk do të ketë luhatje të vlerës në treg, por do të ruajë të njëjtën vlerë me lekun fizik. Kjo do të thotë se një lek digjital do të jetë i barabartë me një kartëmonedhë ose monedhë metalike të së njëjtës vlerë.

Reklamë InterMedika

Monedhat digjitale të bankave qendrore po shqyrtohen nga shumë vende të botës, me synimin për të ofruar pagesa më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase, ndërsa sistemet financiare përshtaten me zhvillimet teknologjike dhe përdorimin gjithnjë e më të madh të pagesave elektronike.

Projektligji riafirmon gjithashtu se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ketë të drejtën ekskluzive për emetimin e monedhës kombëtare. Sipas draftit, leku digjital nuk synon të zëvendësojë paratë cash, por të ofrojë një alternativë moderne për kryerjen e pagesave, duke e afruar sistemin financiar shqiptar me modelin që po ndërtohet në Bashkimin Evropian.