Salla vizitë në Pogradec: Nisi procesi i rrallimit të rasateve të Koranit autokton në ekonominë e Linit
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizitoi Ekonominë e Linit në Pogradec, ku nisi procesi i parë i rrallimit të rasateve të koranit autokton, një fazë teknike thelbësore në ciklin e riprodhimit artificial dhe mbarështimit të kësaj specieje për ripopullimin e Liqenit të Ohrit. Gjatë vizitës, Ministri Salla theksoi rëndësinë e këtij procesi për ruajtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të peshkimit.
“Në Ekonominë e Linit realizohet një nga programet më të rëndësishme për ruajtjen e koranit autokton, duke siguruar ripopullimin e Liqenit të Ohrit dhe mbështetjen e peshkimit artizanal, njëkohësisht me mbrojtjen e një pasurie të çmuar natyrore të vendit,” u shpreh ministri.
Procesi i rrallimit siguron zhvillimin optimal të rasateve dhe rrit normën e mbijetesës së tyre, duke përmirësuar rezultatet e programit të riprodhimit artificial. Prodhimi i këtij viti arrin në rreth 2 milionë rasate, të cilat do të përdoren për pasurimin e rezervës peshkore të Liqenit të Ohrit, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbështetjen e peshkimit artizanal, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të zonës.
Ministri Salla theksoi se rritja e vazhdueshme e prodhimit është tregues i përmirësimit të eficiencës teknike, menaxhimit të procesit të riprodhimit artificial dhe kushteve të mbarështimit, duke garantuar një program gjithnjë e më të suksesshëm për ruajtjen dhe shtimin e koranit autokton në Liqenin e Ohrit.







