Mediat gjermane: Klopp pranë emërimit si trajner i Gjermanisë
Përpjekjet e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) për të emëruar Jürgen Klopp si trajner të ri të kombëtares gjermane duket se po shkojnë drejt finalizimit. Sipas raportimeve të mediave gjermane, ish-trajneri i Liverpool pritet të prezantohet javën e ardhshme si pasardhësi i Julian Nagelsmann.
Sipas informacioneve, presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, dhe zëvendëspresidenti Hans-Joachim Watzke kanë arritur të martën një marrëveshje me drejtorin ekzekutiv të Red Bull, Oliver Mintzlaff, për lirimin e Klopp nga kontrata e tij aktuale.
Klopp është aktualisht Drejtor i Global Soccer në Red Bull, me kontratë deri në vitin 2029. Megjithatë, palët kanë gjetur një zgjidhje që i hap rrugën rikthimit të tij në stol.
Mintzlaff pritet të zhvillojë një takim përfundimtar me Klopp në prag të finales së Kupës së Botës në Nju Jork, ku do të diskutohet mënyra e largimit të tij nga Red Bull dhe roli që ai mund të vazhdojë të ketë në strukturat sportive të kompanisë.
Në takim do të trajtohet edhe e ardhmja e stafit që iu bashkua Red Bull kryesisht për shkak të Klopp, pas emërimit të tij një vit e gjysmë më parë.
Sipas raportimeve, Klopp synon të marrë me vete në stafin teknik ndihmësin e tij prej shumë vitesh, Peter Krawietz, i cili ka qenë pjesë e skuadrave të tij te Borussia Dortmund dhe Liverpool.
Federata Gjermane pritet t’i ofrojë Klopp një kontratë katërvjeçare, që do ta mbante në krye të kombëtares deri në Kupën e Botës 2030. Ende nuk është bërë e ditur nëse marrëveshja do të përfshijë klauzola që lidhen me një eliminim të mundshëm në EURO 2028 ose me moskualifikimin në këtë turne.
Nëse procedurat përfundojnë sipas planit, Klopp do të prezantohet zyrtarisht javën e ardhshme, pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara.
Kombëtarja gjermane do ta nisë sezonin e ri ndërkombëtar me katër ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve, ku do të përballet me Holandën, Serbinë dhe dy herë me Greqinë. Këto sfida pritet të jenë edhe testet e para për Klopp në krye të katër herë kampionëve të botës, nëse emërimi i tij zyrtarizohet.







