×
Wednesday, July 15, 2026

Kur propaganda vishet si satirë. Kush është ambasadori në Tiranë që i administron Marjana Koçekut facebook-un?

July 15, 2026


Një debat i fortë mbi kufijtë mes satirës, aktivizmit politik dhe etikës në gazetari është ndezur pas publikimit në rrjetet sociale të një fotomontazhi, ku protestuesit paraqiteshin sikur formonin fjalë fyese ndaj kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Imazhi ishte i manipuluar dhe paraqitej si një “screenshot” autentik nga profili i Ballës, duke krijuar një realitet që nuk kishte ekzistuar.

Pas publikimit, Taulant Balla reagoi publikisht, ndërsa reagimi i tij u interpretua nga disa figura politike si një sulm ndaj gazetarisë. Mes tyre ishte edhe ish-deputetja socialiste Marjana Koçeku, e cila doli në mbrojtje të gazetarit Gjergj Erebara, duke argumentuar se çështja lidhej me lirinë e medias.

Burime per eunews.al hedhin dyshime se postimet e Marjana Koçekut nuk janë të sajat, por ato shkruhen në telefonin e një ambasadori. Madje në rastin e sotëm ky ambasador tekstin i’a ka nisur një deputeteje të opozitës, e cila nuk ka pranuar ta publikojë sepse ka konsideruar se gazetari Gjergj Erebara i BIRN ka gabuar. Pas refuzimit të deputetes së opozitës atëherë Ambasadori i’a ka dërguar Marjana Koçekut, e cila nuk e ka edituar, por e ka postuar të njëjtin tekst që ambasadori i’a kish dërguar deputetes tjetër, duke e përshtatur në dialektin e zonës së Dukagjinit për t’u dukur sikur ajo e ka shkruajtur vetë. Ky është një skandal dhe shkelje e Konventës së Vienës nga një ambasador.

Ky debat nuk ka të bëjë me të drejtën për të kritikuar gazetarët, por me përgjegjësinë profesionale në publikimin e materialeve të manipuluara. Liria e medias nuk mund të shërbejë si justifikim për deformimin e fakteve, sidomos në një kohë kur inteligjenca artificiale e bën gjithnjë e më të lehtë krijimin e përmbajtjeve të rreme.

Pavarësisht polemikave dhe emrave të përfshirë, debati shkon përtej Taulant Ballës, Gjergj Erebarës apo Marjana Koçekut. Ai prek standardet e gazetarisë në epokën e inteligjencës artificiale, ku një imazh i manipuluar mund të përhapet shumë më shpejt se përgënjeshtrimi i tij, ndërsa dëmi ndaj besimit të publikut mbetet real.

Në këtë kontekst, sfida kryesore mbetet ruajtja e kufirit mes faktit, opinionit dhe satirës, si një nga kushtet themelore për besueshmërinë e medias dhe cilësinë e debatit publik.




Comments are closed.