×
Wednesday, July 15, 2026

Hita: Angazhim maksimal për luftën kundër krimit, drogës dhe zjarreve

July 15, 2026


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim pune me drejtorët e drejtorive vendore të Policisë në qarqe dhe drejtuesit e departamenteve, ku në fokus ishte analiza e situatës së rendit dhe sigurisë publike, si dhe përcaktimi i prioriteteve të punës për periudhën në vijim.

Gjatë mbledhjes, Hita kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen e tyre në kohë dhe trajtimin me profesionalizëm të çdo shqetësimi të ngritur nga qytetarët.

Sipas tij, çdo rast duhet të ndiqet me përgjegjësi deri në përfundimin e plotë të veprimeve procedurale dhe hetimore, duke garantuar reagim të shpejtë dhe efikas nga Policia e Shtetit.

Kryepolici kërkoi gjithashtu rritjen e efikasitetit të shërbimeve në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, forcimin e masave për sigurinë rrugore dhe shtimin e prezencës së uniformave blu në terren, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Ai theksoi se qytetarët dhe turistët duhet të kenë mbështetje të menjëhershme nga Policia në çdo rast nevoje, ndërsa kërkoi nga drejtuesit lokalë monitorim të vazhdueshëm të situatës në zonat që mbulojnë.

Në fjalën e tij, Hita u ndal edhe te rëndësia e respektimit të etikës policore, integritetit dhe rritjes së performancës së çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.

Një tjetër prioritet i theksuar gjatë takimit ishte lufta kundër narkotikëve. Drejtori i Përgjithshëm kërkoi intensifikimin e masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si në ambiente të mbyllura me llamba, ashtu edhe në terren, si dhe goditjen pa kompromis të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Sipas tij, ky fenomen përbën një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe të ardhmen e të rinjve, ndaj kërkohet angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore.

Hita urdhëroi gjithashtu vijimin me intensitet të operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje, kapjen e personave në kërkim, goditjen e lojërave të fatit të paligjshme dhe luftën kundër krimeve mjedisore, duke kërkuar rritjen e rezultateve në çdo drejtim të veprimtarisë policore.

Në kuadër të situatës së zjarreve në vend, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi mobilizim të plotë të strukturave të Policisë për parandalimin e rasteve të zjarrvënies, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, duke nënvizuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit.

Në përfundim të takimit, Hita u kërkoi drejtuesve të drejtorive vendore dhe shefave të komisariateve të jenë personalisht në krye të shërbimeve, të shtojnë praninë në terren në zonat problematike, të ushtrojnë drejtim dhe menaxhim efektiv të strukturave që drejtojnë, si dhe të forcojnë bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese dhe institucionet përgjegjëse për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në të gjithë vendin.




Comments are closed.