×
Thursday, July 16, 2026

Preç Zogaj: Opozita duhet të sillet si qeveri kur bëhet fjalë për integrimin në BE

July 15, 2026


Analisti Preç Zogaj është shprehur se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të jetë një çështje që bashkon të gjithë spektrin politik, duke theksuar se opozita duhet të mbajë një qëndrim konstruktiv dhe të sillet si një forcë qeverisëse kur bëhet fjalë për objektivin strategjik të anëtarësimit në BE.

I ftuar në emisionin “Trialog” të gazetares Alba Alishani në RTSH1, Zogaj tha se, edhe pse është normale që pozita dhe opozita të kenë dallime politike dhe të përfaqësojnë qëndrime të ndryshme në debate apo takime ndërkombëtare, procesi i integrimit evropian duhet të trajtohet ndryshe.

Sipas tij, integrimi në Bashkimin Evropian nuk është një projekt i një partie të vetme, por një objektiv kombëtar që kërkon bashkëpunim politik dhe institucional.

“Opozita duhet të sillet si qeveri gjithë për integrim, gjithmonë”, deklaroi Zogaj, duke shtuar se kjo është edhe qasja më e mençur nga pikëpamja strategjike për çdo forcë opozitare.

Analisti argumentoi se arsyeja kryesore lidhet me mbështetjen shumë të lartë që qytetarët shqiptarë i japin integrimit evropian.

“Nuk ka një vend në botë që 92% e qytetarëve mbi 35 vjeç të jenë kaq pro integrimit. Ruhet një mazhorancë e tillë e pa shembull e dëshirës dhe e vullnetit të shqiptarëve për të qenë në Evropë. Elitat politike gjithmonë duhet ta matin qasjen e tyre ndaj integrimit në raport me këtë përqindje”, u shpreh ai.

Zogaj theksoi se kjo shumicë nuk i përket asnjë partie politike dhe për këtë arsye nuk duhet të përdoret për përfitime partiake.

“92 për qind nuk është një shumicë partiake. Asnjë parti në Shqipëri nuk e ka një mbështetje të tillë. Pikërisht për këtë arsye them se edhe opozita duhet të sillet sikur të ishte në qeveri kur bëhet fjalë për integrimin”, deklaroi ai.

Në analizën e tij, Zogaj nënvizoi se pozita dhe opozita kanë role të ndryshme në demokraci dhe është normale që të kenë qëndrime të ndryshme për çështje të ndryshme politike.

Megjithatë, sipas tij, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian duhet të qëndrojë mbi interesat e momentit dhe rivalitetin politik, pasi përfaqëson një objektiv strategjik të shtetit shqiptar.

Ai theksoi se, përballë një mbështetjeje kaq të gjerë të qytetarëve për anëtarësimin në BE, të gjitha forcat politike duhet të kontribuojnë për avancimin e reformave dhe të shmangin përdorimin e procesit të integrimit si instrument për përplasje politike.




Comments are closed.