Mazniku akuzon opozitën: Ka penguar me qëllim reformën territoriale
Mbledhja e radhës e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale është shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës, ku bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku, akuzoi opozitën se ka penguar në mënyrë të vazhdueshme ecurinë e punimeve dhe ka vonuar procesin përmes shtyrjes së afateve.
Gjatë mbledhjes, Mazniku theksoi se mazhoranca ka paraqitur që në fillim një axhendë të qartë pune me data dhe afate të përcaktuara, ndërsa opozita, sipas tij, ka ndjekur një strategji për të zvarritur procesin.
“Po, axhendën e kemi propozuar ne. Kemi propozuar axhendën dhe kalendarin e punës, me kolona, data dhe afate të përcaktuara. Ajo që na ka karakterizuar në mënyrë konstante ka qenë një axhendë e qartë nga ana e opozitës për të djegur afatet e vendosura”, deklaroi Mazniku.
Ai kujtoi se kanë kaluar nëntë muaj nga konstituimi i komisionit dhe se gjatë kësaj periudhe mazhoranca ka treguar fleksibilitet për të pranuar kërkesat e opozitës.
“Ka pasur raste kur është thënë: ‘Jo këtë javë, sepse kemi protestë.’ Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për të akomoduar çdo kërkesë të opozitës. Mazhoranca ka qenë shumë transparente dhe ka përgjegjësinë, si edhe barrën qeverisëse. Axhenda, në mënyrë sistematike, është penguar nga opozita”, u shpreh ai.
Sipas Maznikut, për shkak të mungesës së dakordësisë për zhvillimin e mbledhjeve, komisioni nuk ka mundur të përfundojë dëgjesat tematike dhe punën e parashikuar në afatet e vendosura.
Ai paralajmëroi se reforma territoriale nuk mund të shtyhet më, pasi lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 dhe me objektivin strategjik të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2029.
Sipas tij, çdo vonesë në miratimin e reformës do të shtynte zbatimin e saj deri pas zgjedhjeve të ardhshme vendore, duke bërë që efektet të ndiheshin vetëm në vitin 2031.
“Nuk mund ta shtyjmë më këtë proces, sepse nëse nuk realizohet tani, efektet e reformës do të shtyhen deri në vitin 2031. Kjo do të thotë një dekadë e humbur për qytetarët”, theksoi Mazniku.
Bashkëkryetari i komisionit tha se kishte kërkuar zhvillimin e mbledhjes prej tre javësh me synimin që të dëgjoheshin ekspertët dhe të përgatitej raporti përfundimtar që do t’i paraqitet Kuvendit.
“Unë e kam kërkuar këtë mbledhje për raportin që para tre javësh. Kemi diskutuar për tre javë për të ardhur deri në ditën e sotme. Nuk mund të vijmë në një komision dhe të themi se nuk janë bërë punët, ndërkohë që jemi në një komision me paritet të plotë. Kuvendi ka kërkuar që kjo punë të përfundojë brenda nëntë muajve”, deklaroi ai.
Mazniku shtoi se objektivi është që pas dëgjimit të ekspertëve të hartohet raporti përfundimtar dhe ai t’i paraqitet Kuvendit në seancën plenare të 23 korrikut.
“Kërkesa ime ka qenë sistematike dhe e thjeshtë: të dëgjojmë sot ekspertët, të bazohemi te dëgjesat dhe te debati që është zhvilluar, e më pas të shohim nëse mund të shkojmë me një raport në Kuvend në seancën e datës 23. Ne nuk mund të shkojmë në datën 23 në Kuvend pa një raport dhe pa dëgjuar ekspertët”, përfundoi Mazniku.







