×
Wednesday, July 15, 2026

Rama: Serbia duhet të pranojë realitetin, ekziston Republika e Kosovës

July 15, 2026


Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për ngërçin në dialogun me Kosovën, pasi, sipas tij, ende nuk ka pranuar realitetin e krijuar me pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama u shpreh se “Kosova dhe Metohia” nuk ekziston më, por vetëm Republika e Kosovës.

“Serbia është më përgjegjësja për situatën që kemi në dialog, sepse nuk është e gatshme ta pranojë realitetin. Nuk ekziston më diçka që quhet ‘Kosova dhe Metohia’, ekziston Republika e Kosovës”, deklaroi ai.

I pyetur për faktin se pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Rama tha se kjo nuk ndryshon realitetin.

“Pesë nga 27 shtete janë një numër i vogël. Shumica dërrmuese e vendeve e kanë pranuar realitetin. Ashtu si popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë fituan pavarësinë, edhe shqiptarët kishin të drejtën e vetëvendosjes”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se ky proces duhet të shoqërohet me respektimin e të drejtave të pakicave dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet komuniteteve.

Lidhur me refuzimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Rama shmangu komentet direkte.

“Unë kam një rregull që e respektoj gjithmonë. Asnjëherë nuk flas në gjuhë të huaj për opozitën. Mos kërkoni që në një gjuhë të huaj të flas për çështje që lidhen me Albin Kurtin dhe me vëllezërit e motrat e mia në Kosovë”, tha ai.

Në përfundim, Rama theksoi se Serbia, si shteti më i madh në rajon, duhet të përballet me realitetin e ri.

“Sipas mendimit tim, dhe këtë e kam thënë edhe në Beograd, sa më shpejt që Serbia ta pranojë se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë për të”, u shpreh kryeministri Edi Rama.




Comments are closed.