×
Wednesday, July 22, 2026

Marta Kos: Shqipëria mbyll sot kapitujt e parë të negociatave me BE-në

July 14, 2026


Shqipëria zhvillon këtë të martë Konferencën e 9-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, duke shënuar një tjetër etapë të rëndësishme në procesin e anëtarësimit. Në Bruksel, delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama pritet të mbyllë tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në.

Komisionarja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi ditën si një moment historik për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Sot është një ‘Super e Martë’ për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi po hedhin hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, shkroi Kos në rrjetin social X.

Sipas saj, gjatë konferencës Shqipëria do të mbyllë Kapitullin 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitullin 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitullin 30 – Marrëdhëniet e Jashtme, duke u bërë plotësisht e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian në këto fusha.

Komisionarja theksoi se, ndërsa Ukraina dhe Moldavia po hapin Klasterin 6 të negociatave, Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të procesit, me 18 nga 33 kapituj të mbyllur.

“Tani, ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, u shpreh Kos.

Konferenca e 9-të Ndërqeveritare konsiderohet një moment kyç në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Autoritetet shqiptare kanë përsëritur objektivin për të përfunduar negociatat deri në vitin 2027, me synimin që vendi të bëhet anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.




Comments are closed.