Rama: Po të besoja akuzat për Zvërnecin do të isha në protestë, Shqipërisë i duhen turistë që shpenzojnë më shumë
Kryeministri Edi Rama deklaroi se debati për projektin turistik në Zvërnec është shoqëruar me dezinformim, ndërsa theksoi se zhvillimi i turizmit në Shqipëri duhet të orientohet drejt vizitorëve me konsum më të lartë dhe investimeve cilësore.
Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë në aktivitetin “RinCamp 2026” në Jalë, Rama u shpreh se, nëse akuzat e ngritura për Zvërnecin do të ishin të vërteta, ai vetë do të ishte pjesë e protestave kundër projektit.
“Sikur unë të besoja çfarë u tha për Zvërnecin, jo vetëm që do të dilja në protestë, por do të isha akoma aty, sepse ato që u thanë ishin të tmerrshme, por fatmirësisht të pavërteta,” tha Rama.
Kryeministri tha se fushata kundër projektit ka ndikuar negativisht edhe te turizmi, duke sjellë anulime rezervimesh dhe duke dëmtuar sipas tij ekonominë e zonave turistike.
“Majin e kemi pasur me rritje shumë të lartë të turizmit, ndërsa qershorin e kemi praktikisht në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. Kemi pasur anulime pafund. Në emër të Shqipërisë janë goditur shqiptarët, puna e tyre dhe të ardhurat e tyre,” u shpreh ai.
Rama hodhi poshtë akuzat se qeveria synon betonizimin e zonave të mbrojtura, duke kujtuar se gjatë qeverisjes së socialistëve janë krijuar strukturat për mbrojtjen e natyrës dhe janë anuluar dhjetëra leje për hidrocentrale.
“Kemi mbjellë 5 milionë pemë, kemi krijuar Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, kemi anuluar mbi 40 hidrocentrale në Vjosë dhe 9 hidrocentrale në Valbonë. Si mund të jem unë njeriu që do betonizojë Zvërnecin?”, deklaroi Rama.
Duke folur për modelin e zhvillimit të turizmit, kreu i qeverisë tha se Shqipëria duhet të largohet nga turizmi masiv dhe të synojë një treg me vlerë më të lartë ekonomike.
“Ne duhet të kalojmë tek një kategori tjetër turisti, tek ata që shpenzojnë më shumë. Një turist i këtij niveli sjell në ekonominë tonë më shumë se 100 turistë të nivelit më të ulët. Resortet e luksit krijojnë vende pune, rrisin të ardhurat dhe nxisin prodhimin vendas,” tha ai.
Rama mbrojti edhe përfshirjen e arkitektëve ndërkombëtarë në projektet shqiptare, duke theksuar se kjo ndihmon në rritjen e cilësisë së zhvillimit urban. Si shembull solli transformimin e Bilbaos në Spanjë pas ndërtimit të muzeut të projektuar nga Frank Gehry.
Në fund, kryeministri theksoi se çdo projekt zhvillimi duhet të respektojë standardet e Bashkimit Evropian.
“Ne nuk bëjmë dot një projekt që nuk e pranon Bashkimi Evropian. Ose duhet të themi që nuk futemi në Bashkimin Evropian. Kaq e thjeshtë është,” përfundoi Rama.







