Rama: Inteligjenca artificiale na ndihmoi të përshpejtojmë integrimin në BE, më 14 korrik mbyllim tre kapitujt e parë
Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi se Shqipëria ka përshpejtuar ndjeshëm procesin e integrimit në Bashkimin Evropian falë përdorimit të inteligjencës artificiale, ndërsa bëri të ditur se më 14 korrik vendi do të nisë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave.
Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë në RinCamp 2026 në Jalë, Rama e cilësoi procesin e anëtarësimit në BE si kompleks, duke theksuar se ai përfshin sfida teknike, politike dhe gjeopolitike.
“Ky është një proces kompleks për të cilin flitet shumë, por në fakt shumë pak e njohin nga brenda. Shqipëria duhet të përfshijë në legjislacionin e saj rreth 4 mijë akte ligjore dhe nënligjore që lidhen me procesin e integrimit,” u shpreh ai.
Sipas Ramës, qeveria ka krijuar një model të inteligjencës artificiale, të quajtur “Diella”, që ka bërë të mundur përshpejtimin e transpozimit të legjislacionit evropian.
“Krijuam modelin e IA me Diellën dhe faktikisht e përshpejtuam në mënyrë eksponenciale transpozimin. Bëmë transpozim në një kohë shumë të shkurtër me një saktësi 99%. Por nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve, ato duhet edhe të zbatohen. Më pas duhet që të 27 vendet anëtare të bien dakord për çdo hap tjetër, sepse Bashkimi Evropian funksionon me konsensus,” tha kryeministri.
Ai kujtoi se Shqipëria është përballur disa herë me pengesa politike gjatë rrugës drejt BE-së, duke theksuar se hapja e negociatave është refuzuar tre herë nga disa shtete anëtare.
Rama u ndal veçanërisht te marrëdhëniet me Holandën, të cilat i cilësoi ndër më të vështirat, duke shtuar se organizimi i finales së UEFA Europa Conference League në Tiranë ndryshoi perceptimin për Shqipërinë.
“Finalja Roma–Feyenoord në Tiranë na ktheu rrotën e historisë së marrëdhënieve me Holandën. Papritur panë që Shqipëria nuk ishte ajo e stereotipeve të krijuara nga media, por një vend krejt tjetër,” u shpreh ai.
Në përfundim, Rama njoftoi se do të udhëtojë në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron për festimet e 14 Korrikut dhe më pas në Bruksel, ku do të nisë faza e mbylljes së kapitujve të negociatave.
“Do të shkojmë në Paris me ftesë të Macron për 14 korrikun dhe më pas në Bruksel, ku do të fillojmë të mbyllim kapitujt. I hapëm të gjithë kapitujt në kohë rekord dhe tani nisim mbylljen. Tre kapitujt e parë do t’i mbyllim më 14 korrik. Kjo është ‘beso dhe kontrollo’,” deklaroi Rama.







