×
Saturday, July 11, 2026

“Telegraph”: Shqipëria, nga destinacion i panjohur në një nga yjet e rinj të turizmit në Evropë

July 11, 2026


Shqipëria po konsolidon pozicionin e saj si një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë, falë bregdetit, natyrës, çmimeve konkurruese dhe promovimit të gjerë në rrjetet sociale. Kështu shkruan media britanike “The Telegraph”, e cila analizon transformimin që ka përjetuar turizmi shqiptar në vitet e fundit.

Sipas artikullit, vendi që deri para pak vitesh ishte pak i njohur për turistët ndërkombëtarë, sot tërheq miliona vizitorë me plazhet e Rivierës Shqiptare, qytetet historike dhe peizazhet natyrore.

“The Telegraph” thekson se rritja e turizmit është shoqëruar edhe me zgjerimin e investimeve të markave të njohura ndërkombëtare të hotelerisë, ndërsa hapja e Aeroportit të Vlorës pritet të lehtësojë aksesin drejt jugut të vendit dhe të rrisë më tej fluksin e vizitorëve.

Media britanike ndalet edhe te projektet turistike të planifikuara nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner, të cilat kanë ngjallur debat publik në Shqipëri për ndikimin e tyre në zhvillimin e zonave bregdetare.

Në analizë shtrohet edhe pyetja se si mund të balancohet zhvillimi i shpejtë i turizmit me mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore të vendit.

Artikulli rikujton se Saranda, sot një nga destinacionet më të frekuentuara, në fund të viteve ’90 ishte një port i qetë me pak infrastrukturë turistike. Sipas autores së guidës turistike për Shqipërinë, Gillian Gloyer, ndryshimi ka qenë i jashtëzakonshëm.

Një pikë kthese për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë ishte viti 2011, kur “Lonely Planet” e renditi vendin mes destinacioneve më të mira për t’u vizituar. Ndërsa pas pandemisë, fluturimet me kosto të ulët dhe popullariteti në platforma si TikTok përshpejtuan ndjeshëm rritjen e interesit për Shqipërinë.

“The Telegraph” vëren se strategjia fillestare e zhvillimit turistik ishte e fokusuar te turizmi rural dhe bujtinat familjare, por vitet e fundit investimet janë orientuar gjithnjë e më shumë drejt resorteve dhe komplekseve turistike përgjatë bregdetit.

Qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2030 vendi të presë rreth 30 milionë turistë në vit, duke e kthyer turizmin në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë. Sipas medias britanike, vitet në vijim do të jenë vendimtare për mënyrën se si Shqipëria do të ndërthurë zhvillimin ekonomik me ruajtjen e pasurive të saj natyrore dhe kulturore.




Comments are closed.