Hoxha në Romë: Shqipëria synon të mbyllë negociatat me BE-në deri në vitin 2027
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin e Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar në Romë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.
Gjatë takimit, ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Hoxha riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për integrimin evropian, duke e cilësuar zgjerimin si një nga investimet më të rëndësishme strategjike të Bashkimit Evropian.
“Zgjerimi mbetet një nga investimet strategjike më të suksesshme të Bashkimit Evropian në paqe, stabilitet, siguri dhe prosperitet. Ruajtja e momentumit në procesin e anëtarësimit nuk është vetëm jetike për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, por edhe për forcën, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë gjeopolitike të vetë Evropës”, u shpreh ministri.
Hoxha theksoi se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë, ku vendet kandidate vijojnë zbatimin e reformave, ndërsa Bashkimi Evropian njeh dhe shpërblen progresin e arritur.
Ministri nënvizoi se objektivi i Shqipërisë mbetet i pandryshuar: përfundimi i negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.
“Shqipëria do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për të arritur qëllimin strategjik për t’u bërë anëtare e familjes evropiane brenda kësaj dekade. Kjo nuk është vetëm një ambicie kombëtare, por një angazhim i mbështetur nga reformat tona, nga qytetarët tanë dhe nga bindja se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian”, deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se momenti aktual për procesin e zgjerimit përbën një mundësi historike, duke theksuar se Shqipëria do të vijojë kursin e saj evropian me të njëjtin angazhim dhe vendosmëri.







