Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se Shqipëria ka rritur ndjeshëm investimet në sektorin e mbrojtjes gjatë viteve të fundit, në kuadër të angazhimeve të saj si vend anëtar i NATO-s.
Sipas Malajt, buxheti për mbrojtjen ka shënuar një rritje të vazhdueshme, duke kaluar nga 24.1 miliardë lekë në vitin 2020 në 52.6 miliardë lekë në vitin 2025, ndërsa në vitin 2026 ka arritur në 69.2 miliardë lekë.
“Shqipëria vijon të përmbushë me përgjegjësi angazhimet e saj në kuadër të NATO-s, duke rritur në mënyrë të qëndrueshme investimet për mbrojtjen dhe sigurinë”, u shpreh ministri.
Malaj theksoi se rritja e financimeve synon modernizimin e Forcave të Armatosura, përmirësimin e kapaciteteve operacionale dhe forcimin e rolit të Shqipërisë në sigurinë kolektive të Aleancës.
Sipas tij, mbrojtja dhe siguria mbeten prioritete strategjike për qeverinë shqiptare, ndërsa investimet e shtuara janë pjesë e përmbushjes së objektivave të NATO-s dhe forcimit të sigurisë kombëtare.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave tregojnë një rritje të qëndrueshme të buxhetit të mbrojtjes në vitet e fundit, në funksion të modernizimit të ushtrisë dhe përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë si aleate e NATO-s.