×
Wednesday, July 8, 2026

Rama në Samitin e NATO-s, pritet nga presidenti i Turqisë Erdoğan

July 7, 2026


Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja Linda Rama mbërritën në pritjen dhe darkën zyrtare të organizuar nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe zonja e parë, Emine Erdoğan, në kuadër të samitit të NATO-s që po zhvillohet në Ankara.

Kryeministri Rama ndau pamje nga momenti i takimit me presidentin turk dhe zonjën e tij, ndërsa pas shtrëngimit të duarve, u realizua edhe fotografia e rastit.

Kryeministri Rama, si dhe delegacioni shqiptar po marrin pjesë në samitin e NATO-s, që zhvillohet në Ankara me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve, bashkëshorteve dhe qeverive të vendeve aleate.

Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur se, gjatë zhvillimit të samitit, kryeministri Rama do të zhvillojë një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe do të marrë pjesë në sesionin e punimeve me liderët shteteve aleate.

Të nesërmen në Ankara, kryeministri Rama do të zhvillojë gjithashtu një takim dypalësh me presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Pjesëmarrja e kryeministrit Rama në këtë samit rikonfirmon angazhimin e Shqipërisë si një aleate aktive dhe e besueshme në NATO, si edhe kontributin e saj në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik.




Comments are closed.