Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, njoftoi këtë të mërkurë se samiti i ardhshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut do të zhvillohet në Shqipëri.
Njoftimi u bë gjatë konferencës përmbyllëse të Samitit të NATO-s në Ankara, ku liderët e vendeve anëtare diskutuan mbi forcimin e mbrojtjes kolektive, rritjen e investimeve në sektorin e mbrojtjes dhe sfidat e sigurisë me të cilat përballet aleanca.
Mbajtja e samitit të ardhshëm në Shqipëri përbën një moment historik për vendin, i cili është anëtar i NATO-s që prej vitit 2009 dhe do të presë për herë të parë takimin më të lartë të liderëve të Aleancës.
Gjatë konferencës, Rutte theksoi se samiti në Ankara konfirmoi unitetin e aleatëve dhe angazhimin e tyre për të forcuar kapacitetet mbrojtëse.
“27 miliardë euro investime janë të rëndësishme për infrastrukturën dhe facilitetet e reja, përdorimin e teknologjisë në avantazhin tonë, nxitjen e inovacionit dhe krijimin e një platforme të përbashkët për të gjithë aleatët në zhvillimin e mbrojtjes. Ky samit ka treguar se aleanca është më e fortë se kurrë, e bashkuar dhe e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj. Ne riafirmojmë përkushtimin ndaj mbrojtjes kolektive: një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve dhe ne do të qëndrojmë së bashku”, deklaroi Rutte.
Ai shtoi se NATO do të vazhdojë të rrisë investimet në mbrojtje, me dhjetëra miliarda euro të dedikuara për modernizimin e infrastrukturës, zhvillimin e teknologjive të reja dhe rritjen e aftësive ushtarake të vendeve aleate.