×
Wednesday, July 8, 2026

Lamallari: 701 milionë lekë më shumë për Policinë e Shtetit, fokus te pagat dhe modernizimi

July 8, 2026


Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, njoftoi se përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, financimi për Policinë e Shtetit do të rritet me 701 milionë lekë, me synim forcimin e kapaciteteve të saj dhe përmirësimin e kushteve të punës për efektivët.

Në një postim në rrjetet sociale, Lamallari bëri të ditur se fondet shtesë do të përdoren për rritjen e mbështetjes financiare për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit, investime në teknologji, motivimin e strukturave elitare dhe përshpejtimin e procesit të modernizimit sipas standardeve më të mira evropiane.

“Përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, rrisim me 701 milionë lekë financimin për Policinë e Shtetit. Më shumë mbështetje për pagat e efektivëve, më shumë investime në teknologji, më shumë motivim për strukturat elitare dhe një tjetër hap i vendosur drejt modernizimit sipas standardeve më të mira evropiane. Një polici më e fortë do të thotë një Shqipëri më e sigurt. Ky është angazhimi ynë dhe do ta çojmë përpara me vendosmëri”, u shpreh ministri.

Sipas Lamallarit, rritja e financimit është pjesë e angazhimit të qeverisë për ndërtimin e një Policie të Shtetit më moderne, më efikase dhe më të përgatitur për t’u përballur me sfidat e sigurisë, në funksion të mbrojtjes së jetës, pronës dhe rendit publik.




Comments are closed.