×
Wednesday, July 8, 2026

Spanja i përgjigjet Trump: Marrëdhëniet tona ndërtohen nga bizneset, jo nga qeveritë

July 8, 2026


Qeveria spanjolle reagoi ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili bëri thirrje për ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare me Spanjën, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta dhe me interes të ndërsjellë.

Në një deklaratë të zyrës së kryeministrit Pedro Sánchez, autoritetet spanjolle u shprehën se i pritën me qetësi komentet e presidentit amerikan dhe se nuk dëshirojnë që ato të ndikojnë në marrëdhëniet tradicionale mes dy vendeve.

“Spanja i pret këto deklarata me qetësi dhe normalitet. Ne nuk duam që të ndryshojnë marrëdhëniet e mira që kanë dy vendet në fushën sociale, kulturore dhe ekonomike”, thuhet në deklaratë.

Qeveria spanjolle theksoi se marrëdhëniet ekonomike ndërtohen nga sektori privat dhe jo nga vendimet politike.

“Lidhjet ekonomike krijohen nga kompanitë private, jo nga qeveritë. Marrëdhënia dypalëshe mes SHBA-së dhe Spanjës është e dobishme për të dy vendet, si në fushën tregtare ashtu edhe në atë të mbrojtjes”, vijon reagimi.

Më herët, gjatë samitit të NATO-s në Ankara, presidenti Donald Trump e cilësoi Spanjën një “partner të tmerrshëm” brenda aleancës, duke e akuzuar se nuk kontribuon mjaftueshëm në shpenzimet e mbrojtjes.

“Spanja është një partner i tmerrshëm në NATO. Ata nuk marrin pjesë, nuk paguajnë. Unë nuk dua të kem asnjë lidhje me Spanjën. Ndërpritni të gjithë tregtinë me Spanjën, përfshirë vizitat. Ne nuk duam asgjë. Do t’i shihni të kthehen me vrap”, deklaroi Trump.




Comments are closed.