×
Wednesday, July 8, 2026

Dashnor Sula: Do të ashpërsojmë kontrollet për sigurinë ushqimore, ndotjen dhe pesticidet në Fier

July 8, 2026


Siguria ushqimore, ndotja mjedisore nga industria e naftës dhe përdorimi i pesticideve në bujqësi do të jenë në fokus të kontrolleve të inspektorateve në qarkun e Fierit. Kështu deklaroi Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, gjatë një takimi me drejtuesit dhe inspektorët rajonalë, ku prezantoi prioritetet e punës për muajt në vijim.

Sula theksoi se, me nisjen e sezonit turistik, inspektimet do të intensifikohen për të garantuar standardet e produkteve ushqimore që konsumohen nga qytetarët dhe turistët.

Ai e cilësoi Fierin një nga qarqet më të rëndësishme të vendit, si për prodhimin bujqësor ashtu edhe për industrinë e bulmetit, duke kërkuar vigjilencë të shtuar ndaj subjekteve që prodhojnë dhe përpunojnë qumësht dhe produkte me origjinë shtazore.

“AKU duhet të ketë vigjilencë të shtuar, sidomos gjatë sezonit turistik, për të garantuar që turistët vendas dhe të huaj të konsumojnë produkte me standardet e kërkuara të cilësisë,” u shpreh Sula.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij ishte ndotja mjedisore e shkaktuar nga disa kompani të industrisë së naftës. Kryeinspektori paralajmëroi kontrolle më të shpeshta dhe më rigoroze ndaj subjekteve që ndotin mjedisin.

“Kam ardhur për t’u lënë detyra konkrete trupave inspektuese që të jenë shumë rigorozë në kontrollin e subjekteve që shkaktojnë ndotje. Brenda tre muajve synojmë që ky shqetësim të marrë zgjidhje,” deklaroi ai.

Sula u ndal edhe te përdorimi i pesticideve në bujqësi, duke kujtuar se Fieri është zona kryesore e prodhimit të frutave dhe perimeve në vend.

Ai kërkoi kontrolle të befasishme dhe të vazhdueshme për të garantuar që pesticidet të përdoren vetëm sipas normave të lejuara.

“Inspektorët duhet të kontrollojnë jo vetëm tregtimin e pesticideve, por edhe përdorimin e tyre nga fermerët, në mënyrë që nivelet të mos tejkalojnë kufijtë e lejuar,” tha ai.

Kryeinspektori shpjegoi gjithashtu se procedurat për marrjen dhe analizimin e mostrave janë të rregulluara me ligj dhe akte nënligjore, duke garantuar transparencë dhe mundësinë e rivlerësimit të rezultateve në laboratorë të akredituar.

Në fund, Sula njoftoi se po vijon riorganizimi i sistemit të inspektimeve në vend. Sipas tij, disa struktura do të bashkohen për të shmangur mbivendosjen e kontrolleve dhe për të rritur efikasitetin.

Ai bëri të ditur se Agjencia Kombëtare e Ushqimit do të unifikojë funksionet me shërbimet veterinare dhe ato të mbrojtjes së bimëve, ndërsa Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të integrojë edhe strukturat përgjegjëse për mjedisin dhe pyjet, me synimin për të krijuar kontrolle më të koordinuara dhe më efektive në terren.




Comments are closed.