Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Ankara për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, ku është pritur nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte.
Sipas agjendës zyrtare, Rama do të marrë pjesë në sesionin e punimeve me liderët e vendeve aleate, ku pritet të diskutohen çështjet kryesore të sigurisë euroatlantike, forcimi i mbrojtjes kolektive dhe zhvillimet e fundit ndërkombëtare.
Gjatë qëndrimit në Ankara, kryeministri shqiptar do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ku në fokus pritet të jenë marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s.
Pjesëmarrja e Ramës në samit rikonfirmon angazhimin e Shqipërisë si një aleate aktive dhe e besueshme e NATO-s, si dhe kontributin e saj në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik.