Shqipëria drejt mbylljes së tre kapitujve të parë të negociatave me BE-në
Shqipëria pritet të shënojë një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, pasi javën e ardhshme synon të mbyllë tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Sipas agjencisë rajonale të lajmeve DTT, me propozim të Presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së, ambasadorët e 27 vendeve anëtare kanë nisur diskutimet për mbylljen e kapitullit 25 (Shkenca dhe Kërkimi Shkencor), kapitullit 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe kapitullit 30 (Marrëdhëniet me Jashtë).
Ky zhvillim vjen pas vlerësimeve pozitive të bëra së fundmi nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, të cilat kanë vlerësuar progresin e Shqipërisë në zbatimin e reformave të kërkuara për integrimin europian.
Ndërkohë, më 14 korrik, Mali i Zi pritet të mbyllë edhe dy kapituj të tjerë negociues, përkatësisht kapitullin 8 (Konkurrenca) dhe kapitullin 29 (Bashkimi Doganor), gjatë takimit të ministrave të Çështjeve Europiane në Bruksel.
Në të njëjtën kohë, Moldavia dhe Ukraina pritet të hapin grupet e para të kapitujve negociues, duke avancuar gjithashtu në procesin e anëtarësimit.
Pas vlerësimit pozitiv të raportit IBAR, Shqipëria synon të përmbyllë të gjithë kapitujt e negociatave brenda dy viteve të ardhshme, me objektivin për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian në vitin 2030.







