Financat: Lehtësia fiskale do të zbatohet vetëm për një banesë
Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë pranë Ministrisë së Financave ka sqaruar se lehtësia fiskale e parashikuar në draftligjin për taksimin e pasurive të paluajtshme do të zbatohet vetëm për një banesë, pavarësisht numrit të pronave që zotëron një individ.
Sipas projektligjit, për banesën e parë të banimit taksa do të llogaritet mbi 50% të vlerës së saj, ndërsa banesat e dyta apo të treta do të taksohen mbi vlerën e plotë, pa përfituar zbritje. Po ashtu, shkalla e taksës propozohet të rritet nga 0.05% në 0.1–0.2% të vlerës së pronës.
Autoritetet sqarojnë se individët që zotërojnë më shumë se një banesë duhet të vetëdeklarojnë se cilën pronë do të konsiderojnë si banesë të parë për të përfituar lehtësinë fiskale.
“Projektligji parashikon që zbritja për banesën e parë të zbatohet vetëm për një banesë të individit, pavarësisht numrit të banesave që ai ka në pronësi ose posedim. Nëse një individ zotëron dy ose më shumë banesa, ai ka të drejtë të përfitojë zbritjen vetëm për banesën që deklaron si banesë të parë. Për banesat e tjera taksa llogaritet mbi vlerën e plotë të taksueshme”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë.
Drafti parashikon gjithashtu se zbritja prej 50% do të zbatohet vetëm nëse vlera e banesës nuk kalon dyfishin e pragut maksimal të patatueshëm, i cili ndryshon sipas bashkive.
Në rastet kur vlera e banesës është mbi këtë kufi, qytetarët nuk do të përfitojnë zbritjen mbi gjysmën e vlerës së pronës, por vetëm mbi pragun e përcaktuar si i patatueshëm.
Sipas shembullit të publikuar nga Ministria e Financave, një apartament 90 m² në Tiranë me vlerë 17.35 milionë lekë do të paguante rreth 8,952 lekë taksë në vit nëse norma vendoset 0.1%, ose 17,352 lekë nëse aplikohet norma 0.2%, krahasuar me 8,676 lekë që paguhet aktualisht.







