×
Monday, July 6, 2026

Lamallari: Çdo rast korrupsioni i zbuluar e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian

July 6, 2026


Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mori pjesë në analizën gjashtëmujore të punës së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ku theksoi se forcimi i integritetit të Policisë së Shtetit mbetet një nga kushtet kyçe për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Gjatë fjalës së tij, Lamallari u shpreh se analiza nuk duhet të shihet vetëm si një bilanc i punës së deritanishme, por si një moment reflektimi për sfidat që vendi ka përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Deri në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, rezultatet nuk do të maten vetëm me ligje apo dokumente, por me institucione që funksionojnë, me standarde që zbatohen dhe me besimin që qytetarët kanë tek shteti. Në këtë proces, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka një rol kyç”, deklaroi ministri.

Lamallari theksoi se Bashkimi Europian i kushton rëndësi të veçantë luftës kundër korrupsionit në institucionet ligjzbatuese, ndaj AMP duhet të forcojë më tej punën për identifikimin dhe hetimin e rasteve të shkeljeve të integritetit.

“Lufta kundër korrupsionit brenda strukturave ligjzbatuese është një prioritet i panegociueshëm. AMP duhet të jetë gjithnjë e më shumë proaktive në identifikimin e rasteve të korrupsionit dhe shkeljeve të integritetit, përmes analizës së riskut, inspektimeve, hetimeve administrative dhe trajtimit profesional të ankesave të qytetarëve”, u shpreh ai.

Sipas ministrit, raportimet dhe dokumentet kanë vlerë vetëm nëse shoqërohen me rezultate konkrete në terren.

“Çdo hetim profesional, çdo rast korrupsioni i zbuluar, çdo shkelje e ndëshkuar dhe çdo procedurë e zhvilluar me integritet e afron Shqipërinë me Bashkimin Evropian”, theksoi Lamallari.

Ai vlerësoi gjithashtu punën e shumicës së punonjësve të Policisë së Shtetit, duke nënvizuar se ata shërbejnë me ndershmëri dhe profesionalizëm, ndërsa paralajmëroi tolerancë zero ndaj çdo punonjësi që shkel ligjin apo abuzon me detyrën.

“Nuk mund të ketë një polici të fortë pa integritet dhe nuk mund të ketë siguri të qëndrueshme pa besimin e qytetarëve. Çdo punonjës që shkel ligjin, abuzon me detyrën apo tradhton besimin e qytetarëve nuk dëmton vetëm institucionin, por godet vetë autoritetin e shtetit. Pikërisht për këtë arsye, AMP duhet të veprojë me vendosmëri, pa kompromis dhe pa ndikime, për të identifikuar, hetuar dhe larguar nga radhët e Policisë çdo element që njollos uniformën”, deklaroi ministri.

Në përfundim, Lamallari rikonfirmoi mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, duke theksuar se forcimi i integritetit të Policisë nuk është vetëm një kërkesë e Bashkimit Europian, por një domosdoshmëri për rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet dhe për forcimin e shtetit të së drejtës.




Comments are closed.