×
Sunday, July 5, 2026

Rama: Porto Palermo do të mbrohet nga ndërtimet, dezinformim pretendimet për projektin

July 5, 2026


Kryeministri Edi Rama e nisi këtë të diel me një video në rrjetet sociale, ku hodhi poshtë pretendimet për ekzistencën e një projekti ndërtimi në Gjirin e Porto Palermos, duke i cilësuar ato si dezinformim.

Rama iu referua publikimeve të gazetarit Klevin Muka, ndërsa theksoi se është angazhuar personalisht që në këtë zonë të mos lejohet asnjë ndërtim dhe se gjiri është shpallur monument natyre.

Sipas tij, masterplanet e përfshira në librin “Albanian Files” nuk përbëjnë projekte të miratuara nga qeveria, por janë punë të realizuara nga arkitektë ndërkombëtarë me porosi të subjekteve private.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me një interpretim të mbrapshtë të këtij masterplani. Ka masterplane në librin ‘Albanian Files’, të cilat inkuizicioni i dështak-zemërakëve të kores së zezë të protestës i ka kthyer në një aktakuzë ndaj meje. Janë masterplane të porositura nga subjekte private në troje private, ndërsa disa prej tyre janë refuzuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, çka tregon se ai nuk është fasadë, por institucion serioz”, u shpreh Rama.

Kryeministri akuzoi gjithashtu autorët e këtyre publikimeve për përhapje të qëllimshme të dezinformimit.

“Ky agjitator i algoritmit e ka bërë vetë me ChatGPT. Kjo është fytyra e dezinformatorëve të paguar të opinionit publik”, deklaroi ai.

Rama bëri të ditur se qeveria ka ndërmarrë hapa për mbrojtjen e plotë të Gjirit të Porto Palermos nga ndërtimet.

“Unë i kam kërkuar qeverisë të kërkojë mbrojtjen e komplet gjirit të Porto Palermos nga ndërtimet. E kemi shpallur atë gji monument të natyrës. Po mbyllim edhe projektin e muzeut të Luftës së Ftohtë dhe rehabilitimin për qëllime turistike të repartit bashkëngjitur”, tha kryeministri.

Në përfundim, Rama u shpreh se “jetojmë në kohë të vështira për të vërtetën”, duke shtuar se viktimat kryesore të dezinformimit janë qytetarët që, sipas tij, “helmohen nga kanalet e dezinformimit”.




Comments are closed.