×
Sunday, July 5, 2026

Rama: Sazani nuk shitet, shteti do të mbetet pronar dhe partner në projekt

July 5, 2026


Kryeministri Edi Rama u ndal në podkastin “Flasim” te intervista e tij për Deutsche Welle, duke deklaruar se pyetjet e gazetares ishin të bazuara, sipas tij, në informacione të pavërteta për projektin e investimit në Sazan dhe Zvërnec.

Rama tha se gjatë vizitës në Bochum të Gjermanisë, ku mori pjesë në samitin “Ruhr Summit”, iu desh të sqaronte se Zvërneci është tokë private, ndërsa Sazani mbetet pronë e shtetit dhe se marrëveshja përfundimtare për projektin ende nuk është përmbyllur.

Sipas tij, shteti shqiptar do të mbetet pronar i tokës dhe do të jetë partner në sipërmarrje, ndërsa çdo zhvillim do t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe monitorimit të Komisionit Europian.

“U përballa me pyetje të tipit: ‘Si mund të privatizohet, të shitet toka publike?’, gjë që as nuk ka ndodhur, as nuk ka arsye të ndodhë. Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Pikërisht sepse ne po negociojmë partneritetin dhe shteti, që do të jetë gjithnjë pronar i tokës, do të duhet, për t’u realizuar marrëveshja, të jetë ortak në sipërmarrje”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk do të ndërmarrë asnjë hap që bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian, duke kujtuar se anëtarësimi në BE mbetet prioriteti kryesor i qeverisë.

Ai shtoi se projekti do t’i nënshtrohet të gjitha procedurave të detyrueshme, përfshirë vlerësimin e ndikimit në mjedis, ndërsa Komisioni Europian po monitoron procesin.

“Ne jemi të detyruar nga standardet europiane të bëjmë vlerësimin e impaktit në mjedis dhe t’u përgjigjemi të gjitha kritereve të Bashkimit Europian. Siguresa për të gjithë ata që janë të shqetësuar është pikërisht Komisioni Europian, i cili është njohur në vijimësi me faktet dhe nuk ka asnjë sens alarmi, sepse i gjithë procesi do të zhvillohet në harmoni me monitorimin e tij”, deklaroi Rama.




Comments are closed.