Rama: Ekonomia mbi parashikimet, bonus për pensionistët dhe mbështetje të re sociale
Kryeministri Edi Rama deklaroi se rritja e ekonomisë përtej parashikimeve i ka dhënë mundësi qeverisë të miratojë një paketë të re masash mbështetëse për qytetarët përmes Aktit Normativ të buxhetit 2026.
Në podkastin “Flasim”, Rama njoftoi bonus për pensionistët, fonde shtesë për medikamentet e pacientëve me kancer, rritje pagash për mjekët e urgjencës, si dhe dyfishim të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar dhe fëmijët me nevoja të veçanta.
Sipas kreut të qeverisë, të ardhurat shtesë të krijuara nga rritja e çmimit të naftës gjatë krizës së fundit nuk janë përfshirë në buxhet, por janë shpërndarë si bonus për pensionistët.
“Kryeshënimi i javës ishte, pa diskutim, akti normativ i qershorit, ku ekonomia, e cila po rritet përtej parashikimeve, na dha mundësinë të dalim me një sërë masash në shërbim të drejtpërdrejtë të njerëzve”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se qeveria ka vënë në dispozicion edhe 15 milionë euro shtesë për medikamentet e pacientëve me kancer, ka miratuar rritjen e pagave për mjekët e urgjencës, si dhe ka zgjeruar garancinë sovrane për programin kombëtar të zhvillimit të ndërmarrjeve.
Rama bëri të ditur gjithashtu se është dyfishuar mbështetja për personat me aftësi të kufizuar dhe për fëmijët me aftësi të veçanta, duke kujtuar se një premtim i ngjashëm ishte bërë edhe për fëmijët me autizëm.
Në fund të deklaratës, kryeministri u ndal edhe te protestat në Tiranë, duke thënë se qeveria po dëgjon me vëmendje shqetësimet reale të qytetarëve, por duke kritikuar atë që e quajti “koren e zezë” të protestës.
“Po dëgjojmë me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit. Ajo ka dy shtresa: ujin e rrjedhshëm të atyre që kanë shqetësime reale dhe koren e zezë të dështakë-zemërakëve, ku janë shfaqur edhe elementët e dhunës”, deklaroi Rama.







