Balla për arkivolin në protestë: Tallja me qefinin nuk është traditë shqiptare
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas shfaqjes së një arkivoli nga disa protestues gjatë ditës së 35-të të protestës në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla publikoi pamje nga protesta dhe pretendoi se personat që sollën arkivolin janë mbështetës të Partisë Demokratike në Durrës, si dhe të një fraksioni brenda kësaj force politike.
Në reagimin e tij, Balla rikujtoi një ngjarje të 28 viteve më parë, duke thënë se Sali Berisha kishte sjellë pranë Kryeministrisë arkivolin e të ndjerit Azem Hajdari.
Sipas tij, tallja me qefinin nuk përputhet me zakonet shqiptare dhe as me traditat fetare, qofshin ato islame apo të krishtera.
“Personat që sollën në bulevard një arkivol qenkan mbështetës të Partisë Demokratike Durrës (edhe të një fraksioni brenda saj). Sali Berisha e ka bërë këtë akt të turpshëm 28 vite më parë me arkivolin e të ndjerit Azem Hajdari. Tallja me qefinin, në kuptimin e përqeshjes së një simboli të lidhur me vdekjen dhe varrimin, nuk përputhet me zakonet shqiptare, si dhe ato fetare, qoftë islame, qoftë kristiane. Ty, Sali, do të ta jepja një përgjigje, por zakonet shqiptare dhe fetare nuk ma lejojnë”, shkroi Balla.







