×
Saturday, July 4, 2026

Policia e Kosovës zhvillon stërvitjen “Shpata e Artë 2026-1” me FSK-në, KFOR-in dhe EULEX-in

July 4, 2026


Policia e Kosovës ka njoftuar se më 2 dhe 3 korrik zhvilloi stërvitjen e përbashkët operacionale “Shpata e Artë 2026-1” në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), KFOR-in, EULEX-in dhe AME-në.

Sipas Policisë, qëllimi i ushtrimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritja e gatishmërisë për reagim të koordinuar në menaxhimin e incidenteve kritike dhe situatave me rrezik të lartë, përmes procedurave të përbashkëta operative.

Në kuadër të stërvitjes u simulua reagimi ndaj kërcënimeve të sigurisë, identifikimi dhe menaxhimi i mjeteve shpërthyese, përballja me protesta të dhunshme, përdorimi i mjeteve të specializuara, evakuimi i personave dhe koordinimi i plotë ndërinstitucional në terren.

Në ushtrim morën pjesë njësi të ndryshme operative dhe mbështetëse të Policisë së Kosovës, përfshirë Drejtorinë e Njësive Speciale Operative, Njësinë për Reagim të Shpejtë, Njësinë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive dhe Njësinë për Deminim dhe Asgjësim.

Policia bëri të ditur se stërvitja u ndoq nga drejtues të lartë të institucioneve pjesëmarrëse dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët vlerësuan profesionalizmin, disiplinën operacionale dhe nivelin e koordinimit të treguar gjatë realizimit të skenarit.

Në përfundim, Policia e Kosovës theksoi se do të vijojë të investojë në rritjen e kapaciteteve operacionale, forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe garantimin e sigurisë dhe rendit publik në vend.




Comments are closed.