×
Saturday, July 4, 2026

KE pranon problemet me sistemin e ri kufitar, por përjashton pezullimin

July 4, 2026


Komisioni Europian ka pranuar se sistemi i ri për regjistrimin elektronik të hyrje-daljeve në Bashkimin Europian (EES) po shkakton vështirësi në pikat kufitare, ndërsa mijëra udhëtarë janë përballur me pritje të gjata gjatë sezonit veror.

Një zëdhënës i Komisionit deklaroi se Brukseli është në dijeni të problemeve që kanë shoqëruar zbatimin e sistemit dhe se po bashkëpunon ngushtë me shtetet anëtare për të monitoruar situatën dhe për të gjetur zgjidhje. Megjithatë, ai theksoi se nuk ka plane për pezullimin e EES-së.

Sistemi regjistron në mënyrë elektronike hyrjet dhe daljet e shtetasve nga vendet jashtë BE-së, duke zëvendësuar vulat tradicionale në pasaporta. Gjatë kontrollit kufitar mblidhen edhe të dhëna biometrike, përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografitë e fytyrës.

Sipas Politico, zbatimi i EES-së ka shkaktuar radhë të gjata në aeroporte dhe pika kufitare. Shoqatat e kompanive ajrore dhe aeroporteve europiane paralajmërojnë se në disa raste pritjet kanë zgjatur deri në pesë orë, ndërsa shumë udhëtarë kanë humbur fluturimet për shkak të procedurave të ngadalta.

Përfaqësuesit e industrisë së aviacionit i kanë kërkuar Komisionit Europian t’u japë shteteve anëtare mundësinë të pezullojnë përkohësisht sistemin në rastet kur fluksi i udhëtarëve tejkalon kapacitetet e pikave kufitare. Sipas tyre, pa masa shtesë dhe rritje të personelit, situata mund të përkeqësohet gjatë kulmit të sezonit turistik në korrik dhe gusht.




Comments are closed.