×
Thursday, July 2, 2026

Vendimi për ish-krerët e UÇK-së më 16 shtator, veteranët paralajmërojnë protesta në Kosovë dhe Hagë

July 2, 2026


Caktimi i datës 16 shtator nga Gjykata Speciale për shpalljen e vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, pas gati gjashtë vitesh proces gjyqësor, ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës e kanë cilësuar procesin të padrejtë dhe kanë paralajmëruar protesta.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati, akuzoi Gjykatën Speciale për zvarritje të qëllimshme të procesit dhe bëri të ditur se veteranët do të intensifikojnë protestat.

“Nuk do të rrimë duarkryq. Do të protestojmë vazhdimisht për t’i treguar opinionit ndërkombëtar se kjo gjykatë është e padrejtë dhe e njëanshme. I mban prej gjashtë vitesh krerët e UÇK-së në burg padrejtësisht. Unë jam i bindur se ne do të fitojmë, por kjo gjykatë vetëm po e zvarrit procesin”, deklaroi Gucati.

Megjithatë, ai u shpreh i shqetësuar për vendimin që pritet të shpallet.

“Kemi frikë se mund të ndodhë edhe më e keqja, por dhashtë Zoti që të mos ndodhë”, tha ai.

Edhe deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami, e cilësoi vendimin e Gjykatës Speciale për shtyrjen e verdiktit si skandaloz, duke deklaruar se procesi ka tejkaluar standardet e një gjykimi të drejtë.

“Kjo gjykatë është një gjykatë politike dhe nuk ka lidhje me drejtësinë. Më 16 shtator, në orën 10:00, rrugët e Hagës dhe të Prishtinës duhet të jenë plot me shqiptarë. Është në dorën e trupit gjykues nëse kjo ditë do të jetë një festë për drejtësinë apo protesta më e madhe që kanë njohur Haga dhe Prishtina kundër një padrejtësie”, u shpreh Behrami.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 dhe përballen me akuza për krime lufte. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin prej tyre.

Shpallja e vendimit më 16 shtator konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë, ndërsa pritet të shoqërohet me reagime dhe mobilizim të gjerë publik.




Comments are closed.