Zelensky uron SHBA-në për 250-vjetorin dhe përsërit kërkesën për sistemet Patriot
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka uruar Shtetet e Bashkuara me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen amerikane ndaj Ukrainës në luftën kundër Rusisë.
Në të njëjtën kohë, ai ka përsëritur kërkesën drejtuar Uashingtonit për furnizimin e Kievit me sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot.
Në një mesazh të publikuar në Telegram, Zelensky e cilësoi përvjetorin si një moment historik për vlerat e lirisë dhe pavarësisë.
“Sot shënohet 250-vjetori i një prej ëndrrave më të ndritura, më të forta dhe më me ndikim të njerëzimit: ëndrra amerikane për një vend të pavarur, të lirë dhe të begatë, që mbron lirinë, besimin dhe kërkimin e lumturisë”, shkroi ai.
Presidenti ukrainas falënderoi SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake dhe politike, duke theksuar se Ukraina ka ende nevojë urgjente për sisteme Patriot për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse.
“Kur i drejtohemi Amerikës për sistemet Patriot, besojmë se vlerat e respektit për jetën dhe njerëzit, që frymëzuan kombin amerikan 250 vjet më parë, do të udhëheqin edhe vendimet e sotme. Bota ka nevojë për një lidership që garanton mbrojtjen e lirisë dhe jetës”, u shpreh Zelensky.
Në përfundim të mesazhit të tij, presidenti ukrainas uroi qytetarët amerikanë për Ditën e Pavarësisë.
“Amerikë, faleminderit. Jam i bindur se, nëse qëndrojmë së bashku, do ta arrijmë paqen”, përfundoi ai.







