×
Friday, July 3, 2026

Lamallari: Dhuna nisi ndaj policisë, vandalët do të përballen me ligjin

July 3, 2026


Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së djeshme para Kuvendit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, si dhe dëmtime të automjeteve dhe pasurisë publike.

Në një deklaratë për mediat, Lamallari tha se protesta është një e drejtë e ligjshme, por theksoi se dhuna ndaj efektivëve të policisë, gazetarëve dhe pasurisë publike nuk mund të tolerohet.

“Ka dy momente që dua të veçoj bazuar në fakte. Dhuna në bulevard nisi me dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Protesta është e ligjshme, por nuk mund të goditen punonjësit e policisë e as gazetarët. Kemi kërkesë nga Unioni i Gazetarëve për të mbrojtur gazetarët në ushtrimin e detyrës”, u shpreh ministri.

Lamallari i cilësoi autorët e akteve të dhunës si vandalë dhe jo përfaqësues të protestuesve.

“Një grusht personash që dëmtojnë pasurinë publike dhe dhunojnë çdo gjë nuk janë protestues, por vandalë. Policia vetëm ka reaguar pas dhunës së ushtruar nga protestuesit”, deklaroi ai.

Sipas ministrit, Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje me ligjin gjatë menaxhimit të protestës.

“Policia e Shtetit e ka bërë detyrën në mënyrë të përkryer. Një grusht personash vandalë nuk janë përfaqësues të protestuesve dhe do të marrin përgjigje sipas ligjit”, përfundoi Lamallari.




Comments are closed.