Rama ironizon protestuesit: “Albanian Files”, libri i parë që trajtohet si provë krimi
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi protestuesit dorëzuan në SPAK librin “Albanian Files”, të cilin e konsiderojnë si provë kundër tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ironizoi këtë veprim, duke e cilësuar botimin si “libri i mallkuar” dhe duke thënë se është libri i parë që trajtohet si provë krimi dekada pas rënies së nazizmit dhe komunizmit.
“LIBRI I MALLKUAR së shpejti në ‘Adrion’, pasi sapo hyri sot në histori si i pari libër, që trajtohet si provë krimi 80 vjet pas rënies së nazizmit dhe 35 vjet pas rënies së komunizmit”, shkroi Rama.
Dy ditë më parë, në podkastin “Flasim”, kryeministri sqaroi se nuk është autor i librit “Albanian Files”, por vetëm autor i parathënies. Sipas tij, botimi është një projekt editorial i pavarur që përmbledh punën e studiove ndërkombëtare të arkitekturës që kanë kontribuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit.
Rama u shpreh gjithashtu se teksti që ka nxitur debat është një shkrim autoironik i arkitektit Reinier de Graaf dhe nuk përmban deklarata politike, duke akuzuar kritikët se po e interpretojnë librin jashtë kontekstit.







