×
Sunday, June 28, 2026

Lamallari: Sistemi me një ndalesë në kufi do të lehtësojë lëvizjen me Maqedoninë e Veriut

June 28, 2026


Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, publikoi foto nga takimi në Dibër me homologun e Maqedonisë së Veriut, Panče Toškovski, ku u nënshkrua marrëveshja për zbatimin e sistemit të kontrollit kufitar me një ndalesë, me synim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, bizneseve dhe turistëve mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se Rruga e Arbrit, të cilën e cilësoi një investim me vlerë kombëtare, ka nisur të japë efektet e saj edhe në rritjen e qarkullimit përmes Pikës Kufitare të Bllatës.

Sipas tij, në këtë pikë kalojnë mesatarisht rreth 4 600 qytetarë në ditë, ndërsa gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar rreth 700 mijë qytetarë dhe afro 300 mijë automjete.

Ministri theksoi se zbatimi i sistemit me një ndalesë në të katër pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të shkurtojë ndjeshëm kohën e pritjes dhe do ta bëjë më efikase lëvizjen ndërkufitare.

“Kur një kamion kalon më shpejt kufirin, fiton ekonomia. Kur një turist pret më pak në kufi, fiton turizmi. Kur një familje kalon më lehtë për të takuar të afërmit, fitojnë njerëzit. Dhe kur dy shtete punojnë si një ekip në kufi, fiton siguria e të gjithëve dhe e ardhmja jonë evropiane”, u shpreh ministri Lamallari.




Comments are closed.