×
Sunday, June 28, 2026

McAllister: Shqipëria pritet të ketë 11 eurodeputetë pas anëtarësimit në BE

June 28, 2026


Shqipëria pritet të përfaqësohet me 11 eurodeputetë në Parlamentin Europian pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa Mali i Zi me gjashtë. Parashikimi u bë nga kreu i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, i cili i cilësoi dy vendet si kandidatët më të avancuar për t’u bërë anëtarët e ardhshëm të BE-së.

“Aktualisht kemi dhjetë vende që kanë deklaruar se duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Së shpejti mund të kemi edhe vendin e 11-të, Islandën. Këto vende po ecin me ritme të ndryshme drejt anëtarësimit, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi janë më pranë objektivit”, u shpreh McAllister.

Ai mbështeti gjithashtu iniciativën e kancelarit gjerman Friedrich Merz për integrimin gradual të vendeve kandidate, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë nga procesi përpara anëtarësimit të plotë, përmes aksesit në tregun e vetëm europian, programeve të BE-së dhe nismës “Roaming Like Home”.

Shqipëria ka përshpejtuar procesin e integrimit europian, duke hapur të 33 kapitujt negociues. Qeveria shqiptare synon të përfundojë negociatat deri në vitet 2027–2028 dhe të sigurojë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Sipas parashikimeve, zgjedhjet e para për eurodeputetët shqiptarë do të zhvillohen vetëm pas ratifikimit të traktatit të anëtarësimit nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Numri i vendeve në Parlamentin Europian bazohet në popullsinë e secilit shtet. Në këtë aspekt, Shqipëria do të renditej në një kategori të ngjashme me Lituaninë, e cila aktualisht ka 11 eurodeputetë, ndërsa Mali i Zi do të kishte gjashtë përfaqësues. Këto projeksione mbështeten në analiza të instituteve dhe ekspertëve europianë për zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Europian.




Comments are closed.