×
Sunday, June 28, 2026

SHBA godet objektiva iraniane, Trump: Nëse përshkallëzohet konflikti, Irani nuk do të ekzistojë më

June 28, 2026


Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë goditur rreth dhjetë objektiva ushtarake iraniane në zonën e Ngushticës së Hormuzit, në përgjigje të sulmit të Iranit ndaj një anijeje tregtare cisternë një ditë më parë.

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se, nëse konflikti përshkallëzohet më tej, “Irani nuk do të ekzistojë më”.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se avionët amerikanë goditën depo ushtarake, sisteme radarësh bregdetarë dhe objekte të tjera ushtarake iraniane, duke akuzuar Teheranin për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit.

Gjatë natës, Garda Revolucionare Islamike (Pasdaranët) mori përgjegjësinë për sulmet ndaj bazës së Flotës së Pestë të SHBA-së në Bahrein dhe një baze tjetër amerikane në Kuvajt, duke i cilësuar ato si hakmarrje për sulmet amerikane në territorin iranian.

Autoritetet e Bahreinit njoftuan se mbrojtja ajrore e vendit ka interceptuar dhe shkatërruar raketa dhe dronë iranianë, ndërsa ushtria është vendosur në gjendje gatishmërie maksimale.

Ndërkohë, tensionet në rajon janë shtuar edhe pas reagimit të Hezbollahut ndaj marrëveshjes-kornizë mes Izraelit dhe Libanit, të nënshkruar të premten në Uashington. Grupi militant e kundërshtoi marrëveshjen, ndërsa në Bejrut janë raportuar trazira.




Comments are closed.