×
Sunday, June 28, 2026

Rama: Franca mbështet integrimin e Shqipërisë, duhen mekanizma të rinj për zgjerimin e BE-së

June 28, 2026


Kryeministri Edi Rama ka ndarë detaje nga takimi me presidentin francez Emmanuel Macron, duke e cilësuar atë një tjetër hap në forcimin e dialogut politik mes Shqipërisë dhe Francës.

Në podcastin “Flasim”, Rama tha se me kreun e Elizesë u diskutua mbi ecurinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve, mbështetjen e Francës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si edhe zhvillimet që lidhen me të ardhmen e BE-së.

Sipas kryeministrit, Franca mbetet një nga vendet kyçe për avancimin e procesit të zgjerimit dhe mbështet idenë e gjetjes së mekanizmave të rinj për ta çuar përpara integrimin europian.

“Në Francë, me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron, zhvilluam një takim që ishte një tjetër stacion në rrugën e një dialogu gjithmonë e më të ngushtë politik mes Shqipërisë dhe Francës. Diskutuam mbi ecurinë e projekteve të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Patjetër, prekëm çështjen e mbështetjes së Francës në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zhvillimet që lidhen me të nesërmen e Bashkimit Europian, ku Franca ka një rol të rëndësishëm për sa i përket shtytjes më përpara të perspektivës europiane të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera që negociojnë, por edhe nevojës për mekanizma të rinj, siç është shprehur edhe në letrën e përbashkët të Presidentit Emmanuel Macron me Kancelarin Friedrich Merz”, u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal edhe te pjesëmarrja në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës në Gdansk të Polonisë, ku, sipas tij, u diskutua jo vetëm mbështetja për Ukrainën, por edhe arkitektura e ardhshme e sigurisë europiane.

“Qëndrimi i Shqipërisë është i njohur dhe u rikonfirmua edhe në Gdansk. Ishte momenti i duhur për të theksuar se rindërtimi i Ukrainës dhe afrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, së bashku me Moldavinë dhe Ukrainën, drejt Bashkimit Europian nuk duhet të shihen si procese të ndara, por si pjesë e të njëjtës qasje strategjike për një Europë më të qëndrueshme, më të bashkuar dhe më të sigurt”, deklaroi Rama.




Comments are closed.