×
Sunday, June 28, 2026

Rama: Kam kontratë me popullin deri në 2029, nuk jap dorëheqjen

June 28, 2026


Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur drejtuesit të “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Florian Haçkaj, lidhur me kërkesat për dorëheqje nga protesta që po vijon prej më shumë se 28 ditësh.

Në podcastin “Flasim”, Rama deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen, duke theksuar se mandatin e ka marrë nga qytetarët dhe se kontrata e tij politike me ta zgjat deri në vitin 2029.

Kryeministri u shpreh se bën dallimin mes qytetarëve që protestojnë për shqetësime reale dhe atyre që, sipas tij, përdorin protestën për interesa politike.

“Jo (nuk e jap dorëheqjen). Unë jam i lidhur me një kontratë me tjetër kënd, që quhet populli sovran i Shqipërisë, me të cilin kam firmosur deri në 2029.

Dua t’i siguroj të gjithë ata që janë sinqerisht, dhe nuk kanë parti apo para nga pas, për të yshtur këtë protestë, se unë nuk i ngatërroj shqetësimet, hallet dhe zemërimin e tyre me këto personazhe të padinjitetshme, që turpërojnë mexhlisin tonë publik.

Por me të neutralizuar një të keqe shumë të madhe dhe me shumë koka që e ka kapur për fyti protestën, padiskutim që unë do të kthehem drejt masës domethënëse të njerëzve”, tha Rama.




Comments are closed.