Rama prezanton “Rilindja Urbane 2.0”: Në korrik nis faza e re e zhvillimit të qyteteve
Kryeministri Edi Rama prezantoi në podcastin “Flasim” një nismë të re për zhvillimin e infrastrukturës digjitale në qytetet e vendit, e cila synon sistemimin e rrjeteve të komunikimit elektronik dhe kalimin gradual nga kabllot ajrore në infrastrukturë nëntokësore.
Sipas Ramës, ndërhyrja synon përmirësimin e cilësisë së hapësirës publike dhe eliminimin e rrjeteve të vjetra të kabllove, ndërsa paralajmëroi se gjatë muajit korrik do të prezantohet programi i ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”.
Programi, i hartuar në bashkëpunim me pushtetin vendor, parashikon ndërhyrje në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, zhvillimin e transportit publik të gjelbër, krijimin e kapaciteteve të reja të parkimit, rigjallërimin e zonave industriale të papërdorura, zhvillimin e muzeve të identiteteve lokale, si dhe zgjerimin e mbështetjes për start-up-et dhe bashkëpunimin me sipërmarrjen.
Rama theksoi se programi nuk do të mbështetet vetëm te fondet e investimeve, por edhe te angazhimi i pushtetit vendor për zbatimin e projekteve dhe rritjen e transparencës me komunitetin.
“Këtë javë prezantuam edhe një nismë të re për infrastrukturën digjitale në qytete, e cila synon që t’i japë fund asaj që ka mbetur nga epoka e përhapjes së internetit në formën e kabllove dhe kavove që rrotullohen rrugë më rrugë e lagje më lagje dhe të fillojmë sistemimin e rrjeteve të komunikimit elektronik, duke kaluar gradualisht në infrastrukturë nëntokësore.
Është një ndërhyrje që adreson domosdoshmërinë për të rritur më tej cilësinë e hapësirës publike dhe, në muajin korrik, do të prezantojmë programin e ri kombëtar ‘Rilindja Urbane 2.0’, i ndërtuar në dialog me pushtetin vendor për fazën e ardhshme të zhvillimit të komuniteteve në të gjithë vendin.
Programi do të adresojë ndërhyrjet e mbetura në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, do të mbështesë zhvillimin e transportit publik të gjelbër, do të krijojë kapacitete të reja parkimesh, do të çelë rrugën e rigjallërimit të zonave industriale dhe do të nxisë zhvillimin e muzeve të identiteteve lokale, duke zgjeruar njëkohësisht programin për start-up-et dhe bashkëpunimin mes pushtetit vendor dhe sipërmarrjes.
Nuk është një program thjesht i mbështetur nga një fond investimesh, por një program që do të stimulojë marrëdhënien aktive të pushtetit vendor me komunitetin dhe një angazhim të përditshëm në zbatimin e projekteve në terren, me më shumë informacion, transparencë dhe vetëdijësim.
Në këtë frymë, ‘Rilindja Urbane 2.0’ do të jetë një hap tjetër i rëndësishëm drejt ‘Shqipërisë 2030’ në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama.







