Rutte: NATO do të prezantojë kontrata mbrojtjeje me vlerë dhjetëra miliarda dollarë në samitin e Ankarasë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, njoftoi se aleanca do të prezantojë kontrata të reja në fushën e mbrojtjes me vlerë dhjetëra miliarda dollarë gjatë samitit që do të zhvillohet më 7-8 korrik në Ankara.
Duke folur në aktivitetin “Front Page” të Këshillit Atlantik në Uashington, Rutte tha se vendet anëtare po intensifikojnë përpjekjet për të rritur prodhimin ushtarak dhe për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes kolektive.
Sipas tij, NATO duhet ta shndërrojë fuqinë e saj ekonomike në aftësi konkrete ushtarake për t’iu përgjigjur sfidave në rritje të sigurisë.
“Duhet të sigurohemi që fuqia jonë ekonomike po shndërrohet në kapacitete ushtarake. Kjo kërkon bashkërendim më të madh mes industrive të mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut, ulje të pengesave burokratike dhe vendosjen e inovacionit në qendër të zhvillimit të sektorit të mbrojtjes”, deklaroi Rutte.
Ai theksoi se samiti i Ankarasë do të shërbejë si platformë për prezantimin e përparimit në bashkëpunimin industrial dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të aleancës.
Rutte konfirmoi gjithashtu se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë në samit, duke ritheksuar mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.
“Presidenti Zelensky do të jetë me ne në Ankara. Ne duam t’i tregojmë atij dhe popullit ukrainas se mbështetja jonë mbetet e palëkundur, si dhe t’i bëjmë të qartë presidentit Putin se NATO nuk do të tërhiqet”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s.







