Rama për Italpress: Asgjë nuk e ndal rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, protestat për Zvërnecin po dëmtojnë imazhin e vendit
Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është i pakthyeshëm, ndërsa mbrojti marrëveshjen me Italinë për emigrantët dhe hodhi poshtë akuzat lidhur me projektin turistik në Zvërnec. Deklaratat u bënë gjatë një interviste për agjencinë italiane të lajmeve Italpress.
Duke folur për rrugëtimin evropian të vendit, Rama tha se asnjë zhvillim nuk mund ta ndalojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Siç thoshte Winston Churchill, nuk duhet humbur kurrë një krizë e mirë. Besoj se ka gjëra për të mësuar dhe për të reflektuar, por askush nuk mund ta ndalojë procesin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.
Kryeministri komentoi edhe marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, e cila ka qenë në qendër të debateve politike.
“U bë shumë zhurmë për diçka që, në fund të fundit, nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje e bërë me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje. Fakti që sot kjo është pranuar nuk është një fitore, por një shembull i kohës së humbur në përplasje të kota”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, të organizuara nga lëvizja e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, duke i cilësuar akuzat ndaj qeverisë si të pabazuara.
“Prej vitesh jam akuzuar për gjithçka të mundshme. Kjo më shkakton një dhimbje të thellë sepse nuk bëhet më fjalë vetëm për mua, por për Shqipërinë”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, rreth projektit është ndërtuar një narrativë pa prova dhe barra e provës duhet t’u takojë atyre që bëjnë akuzat.
“Nëse më akuzojnë se ua kam dorëzuar këto toka dikujt ose se kam dëmtuar një pjesë të bukur të bregdetit shqiptar, le të sjellin prova. Deri më sot nuk është paraqitur asnjë provë, sepse procesi është ende në zhvillim”, theksoi Rama.
Kryeministri sqaroi se ende nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje për projektin, pasi negociatat nuk kanë përfunduar, ndërsa për një zhvillim tjetër në tokë private tha se qeveria nuk ka asnjë lidhje dhe se ende nuk është dhënë leje ndërtimi.
Rama tha se i kupton qytetarët që kanë protestuar, por kritikoi mënyrën se si çështja është paraqitur në arenën ndërkombëtare.
“Fatkeqësisht, sot çështja ka shkuar përtej kësaj dhe njerëzit nuk po flasin më as për flamingot. Flamingot janë bërë një simbol i dobishëm për ata që duan ta çojnë këtë histori në skenën ndërkombëtare. Në nivel ndërkombëtar ajo është shndërruar në një betejë kundër Donald Trumpit”, përfundoi ai.







