Trump kërkon 88 miliardë dollarë shtesë nga Kongresi për luftën me Iranin dhe mbështetjen e fermerëve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar Kongresit miratimin e një pakete shtesë prej afro 88 miliardë dollarësh për të mbuluar kostot e luftës me Iranin, për të ndihmuar fermerët amerikanë dhe për të financuar luftën kundër virusit Ebola në Afrikën Qendrore.
Paketa, e cila pritet të përballet me debat të fortë në Kongres dhe do të ketë nevojë për mbështetje dypartiake në Senat, vjen pas shpenzimeve të krijuara nga konflikti katërmujor në Lindjen e Mesme.
Pjesa më e madhe e fondit, 67,1 miliardë dollarë, është parashikuar për Departamentin amerikan të Mbrojtjes. Nga kjo shumë, 21 miliardë dollarë do të përdoren për të rindërtuar rezervat e raketave dhe municioneve të shpenzuara gjatë konfliktit me Iranin. Paketa përfshin gjithashtu 17,3 miliardë dollarë për operacionet ushtarake, 1,7 miliardë për gatishmërinë e forcave të armatosura, 1,5 miliardë për karburantet, 2,4 miliardë për dronët dhe 5,1 miliardë për sigurinë kibernetike dhe teknologjitë autonome. Një tjetër 12,1 miliardë dollarë janë destinuar për programe të klasifikuara.
Shumë ligjvënës demokratë pritet ta kundërshtojnë kërkesën, duke argumentuar se lufta me Iranin ishte e paligjshme dhe se një rritje e tillë e shpenzimeve ushtarake nuk justifikohet.
Kërkesa vjen në një kohë kur administrata Trump po promovon edhe një buxhet rekord të mbrojtjes prej 1,5 trilionë dollarësh për vitin e ardhshëm, rreth 50% më i lartë se ai aktual.
Paketa përfshin gjithashtu 11,1 miliardë dollarë ndihmë direkte për fermerët amerikanë të prekur nga tarifat tregtare, rritja e kostove dhe fatkeqësitë natyrore, veçanërisht në Florida. Megjithatë, senatorët republikanë nga shtetet bujqësore kërkojnë që kjo shumë të rritet në 17,2 miliardë dollarë.
Administrata Trump propozon edhe 1,4 miliardë dollarë për përballimin e shpërthimit të virusit Ebola në Afrikën Qendrore, 500 milionë dollarë për projekte ndërtimi dhe restaurimi në Uashington, si dhe 1 miliard dollarë për projektimin dhe modernizimin e stacionit hekurudhor Penn Station në New York.
Paketa përfshin gjithashtu ndryshime ligjore për krijimin e një kuadri rregullator për produktet me CBD të derivuara nga kërpi, duke synuar njëkohësisht kufizimin e produkteve dehëse që kanë shfrytëzuar boshllëqet ligjore të krijuara nga ligji bujqësor i vitit 2018.
Një tjetër kërkesë e presidentit është miratimi i shitjes gjatë gjithë vitit të karburantit E15, një masë e mbështetur nga republikanët e shteteve bujqësore për të ndihmuar prodhuesit e misrit përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Kërkesa financiare vjen në një moment kur Trump po përpiqet të bindë Kongresin dhe opinionin publik se marrëveshja e fundit paraprake mes SHBA-së dhe Iranit mund të hapë rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme, megjithëse paketa e re e shpenzimeve pritet të përballet me rezistencë të fortë politike.







