Hoxha në Qipro: Mbështetja për integrimin e Shqipërisë në BE dhe njohja e Kosovës, në fokus të takimeve në Nikozia
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Nikozia, ku u takua me drejtuesit më të lartë të shtetit qipriot për të diskutuar forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe çështje të sigurisë rajonale.
Vizita përkon me 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Qipros, ndërsa Hoxha vlerësoi gjithashtu përfundimin me sukses të Presidencës qipriote të Këshillit të Bashkimit Evropian gjatë gjysmës së parë të këtij viti.
“Ky rast më jep kënaqësinë e veçantë të festojmë së bashku suksesin e Presidencës Qipriote të Këshillit të Bashkimit Evropian”, u shpreh ministri.
Gjatë vizitës, Hoxha u prit fillimisht nga presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides. Në takim u riafirmua angazhimi i përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë me interes të ndërsjellë dhe për avancimin e agjendës evropiane.
Ministri shqiptar përgëzoi Qipron për drejtimin e Presidencës së Këshillit të BE-së dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“Në një kohë pasigurie globale dhe sfidash në rritje të sigurisë, Qipro ka avancuar me sukses një agjendë ambicioze për një Bashkim Evropian më elastik, më strategjik dhe më të bashkuar. Shqipëria vlerëson mbështetjen e saj të palëkundur për procesin tonë të anëtarësimit”, deklaroi Hoxha.
Vizita vijoi me takimin me ministrin e Jashtëm të Qipros, Constantinos Kombos, ku u diskutua mbështetja qipriote për perspektivën evropiane të Shqipërisë, veçanërisht gjatë përfundimit të suksesshëm të Raportit të Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR).
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, përmes një procesi negociues të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në meritë, mbetet objektivi ynë kryesor strategjik dhe motori i reformave demokratike, institucionale dhe ekonomike të vendit”, theksoi Hoxha.
Dy ministrat ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik, duke promovuar investimet, tregtinë, turizmin, arsimin dhe sektorë të tjerë me interes të ndërsjellë.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp, Hoxha njoftoi se të dy vendet presin nisjen e fluturimeve direkte mes Nikozias dhe Tiranës.
“Ne presim me padurim fillimin e lidhjes direkte ajrore Nikozia–Tiranë, e cila do të afrojë edhe më shumë dy vendet dhe popujt tanë, duke lehtësuar turizmin, biznesin dhe kontaktet mes qytetarëve”, u shpreh ai.
Nga Nikozia, ministri shqiptar përsëriti edhe qëndrimin e Shqipërisë lidhur me njohjen ndërkombëtare të Kosovës, duke theksuar se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane.
“Njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendet evropiane që ende nuk e kanë bërë këtë nuk është vetëm një çështje dypalëshe. Ajo lidhet gjithnjë e më shumë me sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës sonë të përbashkët evropiane dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në parandalimin e ndikimeve destabilizuese në rajon”, deklaroi Hoxha.
Në kuadër të vizitës, ministri shqiptar u takua edhe me presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve të Qipros, Annita Demetriou. Bisedimet u përqendruan në rolin e parlamenteve në procesin e integrimit evropian, forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, shkëmbimin e praktikave më të mira legjislative dhe mbështetjen e qeverisjes demokratike.
Vizita u vlerësua si një tjetër hap në forcimin e partneritetit mes Shqipërisë dhe Qipros, në një periudhë kur të dy vendet synojnë të thellojnë bashkëpunimin politik, ekonomik dhe evropian.







