Deklaratat e Rutte për bazat ushtarake ndezin përplasjen me Italinë, Meloni kërkon sqarime
Deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për përdorimin e bazave ushtarake amerikane në Itali gjatë konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit kanë shkaktuar tensione në qeverinë italiane, duke nxitur reagimin e menjëhershëm të kryeministres Giorgia Meloni dhe ministrit të Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Sipas mediave italiane, Meloni dhe Crosetto zhvilluan një bisedë telefonike urgjente pasi dëgjuan intervistën e Rutte për Fox News, ku ai deklaroi se rreth 500 avionë amerikanë ishin ngritur nga bazat në Itali në mbështetje të operacionit “Epic Fury”.
Në Romë, këto deklarata u konsideruan të pasakta. Burime të Ministrisë së Mbrojtjes thanë se aktivitetet e zhvilluara nga bazat ushtarake italiane kanë qenë rreth 200 dhe jo 500, siç pretendoi kreu i NATO-s.
Qeveria italiane reagoi me një deklaratë zyrtare, duke theksuar se gjatë konfliktit janë lejuar vetëm aktivitete teknike dhe logjistike në bazat amerikane në Itali, ndërsa çdo kërkesë për përdorimin e tyre në operacione sulmuese është refuzuar.
Në Palazzo Chigi, deklaratat e Rutte-s u cilësuan të pakuptimta dhe në kundërshtim me faktet e njohura nga autoritetet italiane. Zyrtarët italianë shprehën gjithashtu habi që NATO, e cila nuk ishte e përfshirë drejtpërdrejt në operacionet kundër Iranit, publikoi të dhëna që sipas tyre nuk përputhen me realitetin.
Një tjetër element që ka ngritur dyshime në Romë është koha e deklaratave, të bëra pak para takimit të Rutte-s me presidentin amerikan Donald Trump. Brenda shumicës qeverisëse janë shfaqur dyshime se pas kësaj lëvizjeje mund të ketë pasur ndikime politike nga Uashingtoni.
Pas kontaktit mes Melonit dhe Rutte-s, NATO publikoi një sqarim në përpjekje për të ulur tensionet, por kjo nuk duket se ka mjaftuar për të larguar rezervat e qeverisë italiane.
Pavarësisht polemikave, Meloni mori pjesë në samitin e Berlinit së bashku me liderët kryesorë evropianë, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te samiti i NATO-s që do të zhvillohet më 7 korrik në Ankara, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump.







