François Hollande: Shqipëria mund të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030
Ish-presidenti i Francës, François Hollande, ka shprehur besimin se Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, duke theksuar se procesi duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe në përmbushjen e reformave.
Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, gjatë vizitës së tij në Tiranë me ftesë të studentëve të Kolegjit të Europës, Hollande vlerësoi progresin e Shqipërisë në negociatat me BE-në dhe kujtoi se gjatë mandatit të tij presidencial vendi mori statusin e kandidatit.
“Parashikimi i vitit 2030 është i duhuri. Janë bërë shumë përpjekje, janë kapërcyer etapa dhe janë hapur kapitujt e negociatave. Ka ende disa elemente që duhen përmbushur, por procedurat evropiane do ta ndihmojnë Shqipërinë jo vetëm të hyjë në BE, por edhe të bëhet një faktor i rëndësishëm brenda saj”, u shpreh Hollande.
Ish-presidenti francez mbështeti gjithashtu iniciativën franko-gjermane për një integrim gradual të vendeve kandidate në proceset e Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo do t’u mundësojë atyre të marrin pjesë në vendimmarrje përpara anëtarësimit të plotë.
Megjithatë, ai nënvizoi se ky mekanizëm nuk duhet të shndërrohet në një shtyrje të re të zgjerimit.
“Vendet kandidate nuk duhet ta shohin këtë si një vonesë tjetër të anëtarësimit. Duhet të jetë një proces që çon pa asnjë dyshim drejt hyrjes së plotë në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Duke folur për ndikimin e luftës në Ukrainë, Hollande vlerësoi se zhvillimet gjeopolitike kanë bindur vendet anëtare të BE-së për rëndësinë strategjike të zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor.
“Evropa ka nevojë që Ballkani Perëndimor të zërë vendin që i takon në Bashkimin Evropian, jo vetëm për shkak të luftës në Ukrainë, por edhe për të forcuar sigurinë dhe për të shmangur ndikimet e jashtme në rajon”, deklaroi ai.
Hollande vlerësoi edhe zhvillimin e marrëdhënieve mes Francës dhe Shqipërisë gjatë viteve të fundit, duke përshëndetur vizitat e presidentit Emmanuel Macron në Tiranë.
“Më gëzon që presidenti Macron arriti të vizitojë Shqipërinë dy herë. Lidhjet mes dy vendeve janë kulturore, njerëzore dhe politike. Shqipëria mund të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe pluralizmit në Bashkimin Evropian, në një kohë kur ekstremi i djathtë populist po fiton terren në disa vende evropiane”, përfundoi ish-presidenti francez.







