MEPJ dënon përdhosjen e flamurit të Izraelit: Akt i turpshëm që nuk përfaqëson Shqipërinë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dënuar me forcë heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e kaluar.
Përmes një reagimi zyrtar, MEPJ theksoi se veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes, të drejtën legjitime për protestë paqësore apo me vlerat demokratike dhe standardet evropiane që Shqipëria promovon dhe forcon çdo ditë.
Sipas ministrisë, këto akte përbëjnë shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së tyre, duke qenë të papajtueshme me parimet e respektit, bashkëjetesës dhe tolerancës që karakterizojnë shoqërinë shqiptare.
“Ky akt i turpshëm bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin, vlera që kanë karakterizuar shoqërinë tonë për breza me radhë. Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë dhe as popullin shqiptar”, thuhet në reagimin e MEPJ-së.
Ministria nënvizoi se veprime të tilla përfaqësojnë vetëm individë që synojnë të provokojnë, të përçajnë dhe të përhapin urrejtje, duke keqpërdorur të drejtat dhe liritë demokratike.
MEPJ riafirmoi gjithashtu angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Në përfundim, ministria shprehu solidaritet me Ambasadën e Shtetit të Izraelit në Tiranë, duke theksuar se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë dhe nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike.







