Rama: Protestuesit mendojnë se po mbrojnë flamingot, por po i shërbejnë interesave politike të të tjerëve
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se pas mobilizimit qytetar fshihen interesa politike dhe tentativa për të përfituar kapital politik nga shqetësimet e njerëzve.
Në komunikimin e tij javor, Rama argumentoi se rrjetet sociale dhe algoritmet që favorizojnë përmbajtjet emocionale kanë ndikuar në krijimin e perceptimeve të gabuara dhe në largimin e debatit nga faktet.
Sipas tij, shumë qytetarë që marrin pjesë në protesta e bëjnë këtë me bindje të sinqerta, duke besuar se po mbrojnë natyrën, flamingot dhe zonat e mbrojtura, por në realitet, sipas kryeministrit, po përdoren për interesa të tjera.
“Ka njerëz që dalin në protesta me bindje të sinqerta, që mendojnë se po mbrojnë natyrën, flamingot apo një pasuri që i përket të gjithëve. Gjithçka është fisnike dhe legjitime dhe meriton respekt. Por pyetja është: po i mbrojnë nga kush? Nga unë? Nga ne? Ne që mbrojtjen e natyrës, zonave të mbrojtura, ndalimin e gjuetisë së paligjshme dhe mbrojtjen e pyjeve i kemi pasur gjithmonë prioritet”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se qytetarët duhet të verifikojnë faktet dhe të mos mbështeten vetëm te informacionet që qarkullojnë në rrjetet sociale.
“Kur emocioni ushqehet nga gjysmë të vërteta, nga pamje të shkëputura nga konteksti dhe nga sloganet që qarkullojnë më shpejt se provat, atëherë idealizmi dhe dëshira e sinqertë për t’u angazhuar kthehen në instrument në duart e atyre që kanë interesa krejt të tjera”, deklaroi ai.
Rama akuzoi gjithashtu partitë e reja politike se po përpiqen të përdorin protestat për të ndërtuar karrierat e tyre politike.
“Njeriu mendon se po mbron flamingot, po mbron Zvërnecin apo Shqipërinë, ndërkohë që po mbron interesat e dikujt tjetër. Menduan gabimisht se u bë deti kos për lugën e ndryshkur të karrierave të tyre politike apo për partiçkat e tyre të reja, që u bënë shumë shpejt të vjetra, të vogla, që duan të rriten duke hedhur gurë dhe duke fshehur duart”, tha kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur protestat kundër zhvillimit të projektit turistik në Zvërnec vijojnë prej javësh dhe kanë nxitur debate të forta mes qeverisë, aktivistëve të mjedisit dhe forcave politike.







