Rama për protestat: Po mbrojnë flamingot, por rrezikojnë të bëhen peng i iluzioneve dhe interesave të tjera
Kryeministri Edi Rama i kushtoi një pjesë të podkastit të tij “Flasim” protestave të fundit kundër projektit në Zvërnec, duke paralajmëruar për rrezikun që qytetarët të ndërtojnë bindjet e tyre mbi informacione të paverifikuara dhe narrativa të krijuara nga rrjetet sociale.
Në reflektimin e tij, Rama përdori personazhin Fabrice del Dongo nga romani i Stendalit si metaforë për njerëzit që nisen drejt një kauze me ideale fisnike, por që mund të përfundojnë të përfshirë në një betejë krejt tjetër nga ajo që kishin imagjinuar.
Sipas kryeministrit, në epokën e algoritmeve dhe rrjeteve sociale, iluzionet nuk prodhohen vetëm nga propaganda apo fanatizmi, por edhe nga informacioni i pjesshëm dhe përmbajtjet që synojnë të tërheqin vëmendje më shumë sesa të shpjegojnë realitetin.
“Sa më shumë zemërim, sa më shumë frikë dhe tronditje, aq më shumë shpërndahet iluzioni se njeriu mund të ndryshojë botën duke u shkëputur nga realiteti dhe duke u mbështetur te një version faktesh që i serviret vazhdimisht në ekranin e telefonit”, tha Rama.
Ai u shpreh se shumë prej protestuesve që kundërshtojnë projektin në Zvërnec veprojnë me bindje të sinqerta dhe me dëshirën për të mbrojtur natyrën, flamingot dhe biodiversitetin, por shtoi se duhet të verifikojnë faktet para se të krijojnë bindje të forta.
“Gjithçka është fisnike dhe legjitime, por pyetja është: po i mbrojnë nga kush? Natyrën, zonat e mbrojtura, ndalimin e gjuetisë së paligjshme dhe mbrojtjen e pyjeve i kemi pasur dhe i kemi pjesë të pandarë të punës sonë”, deklaroi ai.
Rama argumentoi se kur emocionet ushqehen nga gjysmë të vërteta, pamje të nxjerra jashtë kontekstit dhe slogane që qarkullojnë më shpejt se faktet, idealizmi mund të kthehet në instrument të interesave të tjera politike.
“Njeriu mendon se po mbron flamingot, Zvërnecin apo Shqipërinë, ndërkohë që mund të jetë duke mbrojtur interesat e dikujt tjetër, për të cilin interesat e Shqipërisë nuk kanë asnjë vlerë”, tha kryeministri.
Ai akuzoi gjithashtu disa forca politike dhe parti të reja se po përpiqen të përfitojnë nga protestat për interesa karriere dhe për të fituar terren politik.
Sipas Ramës, debati duhet të zhvillohet mbi fakte dhe mbi projektin konkret, i cili ende nuk ka marrë formën përfundimtare.
“Ne jemi këtu për të bërë më të mirën për Shqipërinë, për natyrën, për Zvërnecin dhe për flamingot, por duke bashkëpunuar me realitetin dhe faktet. Projekti ende nuk është gati dhe diskutimi duhet të fokusohet te mënyra se si ai mund të bëhet sa më i mirë, jo te rrëzimi i tij para se të lindë”, u shpreh ai.







